Kosova

Sveçla i lidhë protestat e veteranëve me ato kundër Vuçiç-it në Serbi


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, duke komentuar protestën e thirrur nga shoqëria civile dhe e përkrahur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër koordinimit të Qeverisë së Kosovës me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç, person në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i ikur nga drejtësia në Kosovë, ka bërë një deklaratë mjaftë problematike.

Sveçla, sikur një teoricien i konspiracionit, e jo një ministër i një dikasteri mjaft të rëndësishëm, ka arritur të lidhë protestën e paralajmëruar sot në Prishtinë me ato në Serbi të cilët po mbahen kundër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç-it.

Përmes një shpjegimi të thukët, Sveçla, ka shkruar se presidenti Vuçiç i është kthyer metodave të tij të luftës hibride duke tentuar të nxisë trazira në Kosovë, pasi ka kuptuar se po e humb betejën në terren me Kurtin.

Prandaj ai ka deklaruar se “mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, meqë sipas tij protesta e thirrur për sot vije në një farë mënyre si një urdhër nga Serbia.

“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njëjtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiç-it”.

“Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dinë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”.

“Ai po e humb ndikimin në Veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave. Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA. Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar”, ka potencuar ai përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

“Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt. I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiç-i ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiç-it, por dobësimin e pozicionit të Kurtit”, ka shtuar ai.

Sveçla ka folur edhe për audio-incizimet e publikuar në Nacionale.com ku dëgjohet një bisedë e Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lilës dhe anëtarëve të Listës Serbe, Slavko Simiç e Milan Radojiçiç, duke potencuar se “këto audio-incizime nga dora e Vuçiç-it gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”.

“Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jo-stabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore