Lajme

Suspendohen dy policë, janë ish-ushtarë të UÇK-së


Dy policët e suspenduar, Blerim Kuqi dhe Flurim Pirku.

Blerim Kuqi dhe Flurim Pirku janë dy pjestarë të Policisë së Kosovës që janë suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), pasi që, sipas tyre, ata dyshohen se kanë tejkaluar autorizimet policore gjatë përdorimit të forcës.

Të dy këta zyrtarë policorë të suspenduar, pra Kuqi dhe Pirku, kanë qenë pjesëtarë të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Dy policët e suspenduar

Në njoftimin e IPK-së, theksohet se vendimi për suspendimin e ish-pjesëtareve të UÇK-së ka ardhur pasi një informacioni që policia e ka marrë në Suharekë, pasi që dy policët kishin intervenuar në një incident në këtë qytet.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar dje një informacion nga Policia e Kosovës në Suharekë lidhur me një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë”, thuhet fillimisht në njoftimin e IPK-së.

Aty potencohet se ngjarja është raportuar të ketë ndodhur në orët e mbrëmjes të së premtes kur policia kishin reaguar në një incident në Suharekë.

“Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore dhe duke dalë në vendin e ngjarjes”.

“Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj dy zyrtarëve policorë, IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës”.

Hetuesit e IPK-së, theksohet aty, “në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”.

Pas vendimit të IPK-së, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar polici Kuqi, i cili ka shpërndarë një fotografi me kolegun e tij Pirku, ku shihen së bashku në punën si policë, por ka bashkangjitur edhe foto gjatë kohës së tyre në UÇK.

Si mbishkrim në këtë fotografi Kuqi ka vendosur këtë paragraf: “Mund të lodhesh nga çdo gjë, me përjashtim të punës”, duke mos e komentuar drejtpërdrejtë vendimin e IPK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore