Lajme

Supremja refuzon kërkesën e Todosijeviç për përjashtimin e gjyqtarëve


Ivan Todosijeviç, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Ivan Todosijeviç, përmes avokatit mbrojtës të tij, Nebojsha Vlajiç, në prill të këtij viti kishte kërkuar përjashtimin e kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, përkatësisht përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve shqiptarë.

Kjo kërkesë, në rastin e Todosijeviç, është refuzuar.

Lajmin për refuzimin e kërkesës në fjalë, për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.

Lidhur me ecurinë e procedurës, deri në refuzimin e kësaj kërkese nga ana e kryetarit të Apelit dhe kërkesave të tjera të mbrojtjes së Todosijeviç, “Betimi për Drejtësi” është informuar edhe nga Gjykata Supreme.

Zëdhënësja e kësaj gjykate, Antigona Uka, ka bërë të ditur se mbrojtësi i të pandehurit ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarëve të kolegjit.

“Për shkak se në aktgjykimin e kundërshtuar me ankesë është konstatuar se i pandehuri ka dëmtuar ndjenjat e tërë popullit shqiptar, e meqë të gjithë janë shqiptarë në kolegj, edhe gjyqtarët janë të dëmtuar (sipas kodit është përcaktuar se kur një gjyqtar është i dëmtuar, ai s’mund ta gjykojë atë çështje)”, thuhet të ketë qenë arsyetimi i mbrojtësit të Todosojeviç.

Më tej, në këtë përgjigje, thuhet lidhur me kërkesën për përjashtimin e gjyqtarëve duhet të vendosë kryetari i Gjykatës së Apelit, i cili është i nacionalitet shqiptar, mbrojtësi ka kërkuar edhe përjashtimin e tij dhe të kryetarit të Gjykatës Supreme, i cili vendos lidhur me përjashtimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit.

“Ndaj, për kërkesën e pranuar në Gjykatë Supreme, lidhur me përjashtimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme, Kolegji i kryesuar nga nënkryetarja e Gjykatës Supreme, në seancën e kolegjit të mbajtur më 2 qershor 2021, me aktvendimin PN.II.nr.8/2021 e ka hedhur këtë kërkesë si të papranueshme”, thuhet në përgjigje.

Zëdhënësja Uka ka bërë të ditur se, pas këtij vendimi, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, me aktvendimin GJA.nr.117/2021, e ka hedhur si të papranueshme kërkesën e mbrojtësit të pandehurit, avokatit Nebojša Vlajić, për përjashtimin e Kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Ndërsa, avokati Nebojsha Vlajiç i të akuzuarit Ivan Todosijeviç, ka thënë në seancën, e cila është duke u mbajtur, se çështja ndaj klientit të tij nuk mund të vazhdojë, pasi ka imunitet.

Lidhur me këtë, kryetari i kolegjit, gjyqtari Burim Ademi tha se çështja penale duhet të trajtohet dhe seanca duhet të mbahet, ngase imuniteti mund të jetë një rrethanë që mund të reflektojë si pengesë në ndjekjen penale, e për të cilën çështje tha se gjykata ka bazat ligjore kur konstaton pengesë në ndjekje penale.

“Ky kolegj rikujton po ashtu se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese, mbi të cilën ka trajtuar imunitetin e deputetëve dhe tashmë ai vendim ka krijuar standardin kushtetues, andaj gjykata me rastin e vendosjes së kësaj çështje do të ketë parasysh të gjitha pretendimet e mbrojtjes, rrethanat dhe standardet kushtetuese”, deklaroi gjykatësi Ademi.

Pas kësaj, avokati Nebojsha Vlajiç tha se nuk mund të ndalojë të mbahet seanca, nëse konsiderohet se duhet mbajtur.

“Nuk du të marr pjesë në këtë seancë, do të kaloj në publik”, deklaroi tutje avokati.

“Po ju paralajmëroj se seanca nuk mund të lëshohet pa lejen e kolegjit, përndryshe pasojat i mbani. Mund të kërkoni leje të largoheni, po jo të largoheni”, iu drejtua gjykatësi Ademi, avokatit Vlajiç.

“S’do të largohem, nuk du asnjë dënim, du me marr pjesë”, u përgjigj avokati.

Ivan Todosijeviç, ish-ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), aktualisht deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Listës Serbe, ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë, pasi ishte shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut”.

Todosijeviç ishte shkarkuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, nga pozita e ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore