Sport

Superkupa e Italisë/ Juventus-i dhe Inter-i përplasen me Serie A për Arabinë Saudite


Juventus-i dhe Inter-i do të përballen në Superkupën e Italisë 2021. Por, teksa rivaliteti mes dy klubeve është në fushë, jashtë saj interesat janë të përbashkëta.

Data dhe vendi i ndeshjes nuk janë përcaktuar akoma përfundimisht. Dy klubet janë të një mendje, për të luajtur në Riad të Arabisë Saudite, por Serie A është ajo që kundërshton.

Dy janë datat e përcaktuara parimisht për të luajtur Superkupën. E para është më 22 dhjetor në Riad dhe e dyta më 5 janar në Romë ose në Milano, raporton italiania “Il Corriere dello Sport”.

Klubet së bashku me Federatën e Arabisë Saudite po bëjnë presion për të luajtur në kryeqytetin arab para krishtlindjeve. Liga e kundërshton, pasi akoma nuk ka shitur të drejtat televizive në atë zonë dhe nuk do të kishte shumë përfitime.

Në krahun tjetër, per klubet do të kishte përfitime. Nga 3.5 milionë euro do të merrnin klubet dhe mbi të gjitha do të shtrinin shikueshmërinë e tyre edhe në ato vende. Gjithashtu do të tentonin të afronin edhe sponsor të mundshëm.

Në një tjetër lajm të dalë nga gazetat italiane, ekzaktësisht në “Milano Finanza”, thuhet se Arabia Saudite është e gatshme të ofrojë 200 milionë euro për të marrë të drejtën e organizmit të Superkupës së Italisë për gjashtë vitet e ardhshme.

Në kushtet aktuale, me kontratën që ende është në fuqi arabet kanë paguar 21 milionë euro. Por ata synojnë ndryshimin e formatit, nga dy skuadra në katër dhe për këtë janë të gatshëm të ofrojnë 200 milionë euro.

Investimet e Arabisë në Itali dhe Serie A pritet të rriten edhe në një tjetër drejtim. Së fundmi është përfolur shumë në media se Fondi i Investimeve të Arabisë Saudite që bleu Newcastle në Premier League, kërkon të blejë edhe Inter-in. Në këtë rast, shuma e ofruar është rreth 1 miliard euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore