Sport

Superiore/ Egnatia surprizon Teutën, Vllaznia dhe Kukësi ndahen në paqe


Kanë përfunduar dy sfidat e orës 16:45 në Abissnet Superiore. Egnatia ka fituar me rezultatin 2-1 përballë Teutës. Vllaznia ka barazuar në shifrat 1-1 me Kukësin.

Ndeshjet u luajtën për javën e 15 të kampionatit dhe ishin të fundit për këtë vit kalendarik për të katër skuadrat.

Në “Elbasan Arena”, Artur Magani ishte heroi i miqëve me dy golat e realizuar. Për vendasit golin e vetëm e shënoi Pepi Gorgiev-i.

Në minutën e 27 të takimit, gjyqtari kryesor, Kridens Meta akordon 11 metërsh për rrogozhinasit. Por katër minuta më vonë, pas rishikimit të rastit në VAR, u akordua për pozicion jashtë loje të Maganit.

Në minutën e 45+3, Magani e dërgon topin në rrjetë. Fillimisht Meta e anulon, por më pas e rishikon rastin në VAR dhe e akordon gol të rregullt. Me këtë epsiod, u mbyll pjesa e parë 1-0 në favor të Egnatias.

Në minutën e 67 të pjesës së dytë, pas një gabimi në prapavijën e vendasve, Magani nuk gabon dhe e dërgon topin në rrjetë.

Teuta do të shënonte në minutën e 78. Maqedonasi Gjorgiev-i, ngushtoi diferencat, por durrsakët nuk mundën të dilnin me pikë nga ky takim.

Në sfidën e luajtur në “Loro Boriçi”, ishin vendasit që kaluan të parët në avantazh. Në minutën e tetë të pjesës së parë, Liridon Latifi i jep avantazhin vendasve.

Pjesa e parë përfundoi me avantazhin dhe dominimin e Vllaznisë. Pjesa e dytë fliste për miqtë nga Kukësi, që dominuan dhe shënuan. Goli i barazimit erdhi në minutën e 70 nga 26-vjeçari moldav, Artiom Puntus-i.

Me rezultatet e arritura, Kukësi ngjitet në vendin e dytë me 28 pikë. Vllaznia qëndron e katërta me 25 pikë. Teuta mban vendin e gjashtë me 18 pikë.

Egnatia qëndron në vendin e parafundit, por në kuotën e 14 pikëve, një më pak se Dinamo dhe Skënderbeu që renditen sipër saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore