Përballje

Suns eklipsojnë Lakers dhe Brooklyn Nets kalojnë në rundin e dytë të playoff


Chris Paul përballë LeBron James

Ndeshjet e së martës në NBA ishin fantastike, ku Brooklyn Nets kaluan në rundin e dytë duke mposhtur Boston Celtics dhe Suns morën avantazhin e serisë së ndeshjeve përballë Los Angeles Lakers.

Phoenix Suns kanë fituar bindshëm ndeshjen përballë Lakers me rezultat 115:85.

Mungesa e Anthony Davis në radhët e Lakers ishte “vitale”, pasi ata nuk kishin një yll tjetër i cili mund të ndihmonte LeBron James.

Dueli mes Suns dhe Lakers filloi i baraspeshuar në çerekun e parë, por, gjithçka ndryshoi në periodën e dytë, ku Suns morën një epërsi prej 30 pikëve.

Dominimi i Suns detyroi yllin e Lakers, LeBron James të largohej nga palestra gjashtë minuta më herët, pasi që ekipi i tij po poshtërohej në ato momente.

Te Suns më të dalluarit ishin Devin Booker me 30 pikë e 7 kërcime dhe Cameron Payne mme 16 pikë.

Ndërsa më të mirët te Lakers, ishin LeBron James me 24 pikë e 7 asistime dhe Talen Horton-Tucker me 11 pikë e 11 kërcime.

Në anën tjetër, Brooklyn Nets kanë kaluar në raundin e dytë të playoff-it, pas fitores kundër Boston Celtics me rezultat 123:109.

Dueli mes Celtics dhe Nets ishte i ngushtë në pjesën e parë, por në çerekun e katërt, ata mbyllën ndeshjen me epërsi prej 14 pikësh.

Treshja e Brooklyn Nets ishin fantastike, të cilët përsëri pasi shënuan mbi 24 pikë secili.

Harden ishte më i dalluari, i cili arriti dyshifrorë të trefishtë me 34 pikë, 10 kërcime e 10 asistime, por në fitore kontribuan edhe Kevin Durant me 24 pikë dhe Kyrie Irving me 25.

Ndërsa te Celtics më të mirët ishin Jayson Tatum me 32 pikë e 9 kërcime dhe Evan Fournier me 18 pikë.

Nets përfunduan serinë me rezultat 4:1, dhe do përballen me Milwaukee Bucks të cilët nuk kanë humbur asnjë ndeshje në playoff-in e këtij sezoni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore