Lajme

“Sunny Hill”/Arti në skenë dhe kultura poshtë skenës, dy botë të ndryshme dhe të largëta – eksperiencat e tmerrshme të një festivali


“Sunny Hill”, katrahura e pritjes, foto nga Fatmir Curri

Zëri i bukur, pamja prej një Dive, vallëzimi me super koreografi e tregojnë profesionalitetin e Dua Lipës si artiste, por vetë festivali “Sunny Hill”, nuk nënkupton me domeso event madhështor artistik.

Për një emërtim të tillë duhet shumë më shumë. Mbi të gjitha, organizim i jashtëzakonshëm. Por nga dita e parë dhe e dytë e festivalit të mbajtur në Gërmi, ka dalur se organizimi ishte jashtëzakonisht i dobët.

Ngjarja e 4 shkurtit është padyshim kulturore, por siç kanë raportuar edhe shumë pjesëmarrës, ajo ka treguar vetëm kulturën e mos organizimit.

Foto nga Fatmir Curri, pjesmarres ne festival

Kultura është fjalë që përmbledh sjelljen sociale, atë institucionale e normat shoqërore të një vendi, derisa arti kryesisht është ekstravaganca që i ndërhynë kulturës për ta ngritur si të tërë në një nivel tjetër.

Arti i Dua Lipës në skenë s’është përkthyer dot në këtë ndërhyrje, ose ka mbetur i pafuqishëm para kulturës së përgjithshme.

Prandaj, erdhën ankesat e shumë pjesëmarrësve në event të cilët shkruajnë edhe në rrejte sociale se kanë përjetuar një eksperiencë aspak artistike.

Fatmir Curri, pjesmarrës në “Sunny Hill” ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook dramën e tij.

Fillimisht thotë ai, “kemi pritur në rend me të shtyra e bërtima policore gati tri orë”.

Por, sikur të përfundonte gjithçka te pritja.

Curri, që është edhe këshilltar i jashtëm i në zyrën e kryeministrit të Kosovës, thotë se pas pritjes prej orësh i gjithë sistemi u bllokua, sepse “organizatorëve ju ishin harxhu shiritat e dorës”.

Bëhet fjalë për një rreth në dorë që të vihet dhe i cili në mënyrë elektronike dëshmon se je posedues i një bilete dhe të njëjtin mund ta mbushësh me para, që më pas të blesh pije brenda festivalit.

“Jemi trajtuar sikur dele”, shton ai, duke treguar se organizimi tek pjesa e hyrjes së festivalit e kishte veç emrin të tillë dhe jo funksionin.

“Organizatori nuk kishte numër të mjaftueshëm të stafit me organizu e kategorizu si duhet hyrjen”, shkruan ai, prandaj, atë përgjegjësi ia kishin bartur policisë.

“Policia”, si policia, “herë pas herë shpërndante aty këtu ndonjë britmë e shpullë burrave para grave të tyre apo arrestim të përkohshëm”.

“Shkaku i turmës dhe shtyrjeve nuk kishte mundësi për kontrolle të duhura të sigurisë fizike e të biletave. Çantën të cilën e kisha as që u kontrollua se çka kam brenda, e kjo tregon për sigurinë brenda në ‘festival ndërkombëtar’”.

“Mos të flasim për kontrolle të ID e identifikim të biletave, kjo mbrëmë nuk ekzistonte”, vazhdon Curri të tregojë.

Krejt në fund, ai thotë se është gabim i madh edhe nëse blihen bileta, të cilat kushtojnë qindra euro, për të hyrë në festival, meqë “me hy mundet kushdo që vjen aty”.

“Shumë kanë hy pa bileta”.

Se gjendja ishte fare e rëndë, Curri thotë ta ketë kuptuar më së miri nga turistët e huaj që kishin ardhur për festivalin.

“120 euro për këtë event të dhjerë?”, kishte dëgjuar “të huajt” tek pyesnin retorikisht pas eksperiencës aspak të mirë.

Statusi i Currit është mbushur me komente nga persona të tjerë që aprovonin ato çfarë shkruante ai.

“Askush s’më kontrolloi as mua, as nëse kisha biletë ose jo”, shkruan një komentuese.

“Organizimi katrahurë”, një tjetër.

Një baba i shqetësuar shkruan në komente se për të ishte ankth i vërtetë fakti që s’mund të komunikonte dot me fëmijët e tij që ishin pjesëmarrës në festival. “S’punonte as rrjeti, asgjë”.

Të tjerë shkonin dhe më larg, duke konspiruar se organizatori me qëllim s’ka bërë punën e tij, si hakmarrje për pronën publike që kërkoi ta merrte për ta bërë një skenë të përhershme dhe për shkak të procedurave të stërzgjatura institucionale dhe aplikimit jo të plotë nga ana e tij, nuk iu dha.

Për organizimin e këtij festivali vetëm komuna e Prishtinës ka ndarë 150 mijë euro.

Në fund të fundit e gjitha tregon një gjë të thjesht – nivelin e organizimit dhe kulturën e përgjithshme s’e avancon dot një ngjarje artistike që organizohet një herë në vit.

Prandaj, mbase, organizimi ishte ashtu siç supozohet të jetë, i dobët. Dhe Dua Lipa ishte po ashtu siç duhet të jetë, e mrekullueshme.

Jo pa arsye, formimin artistik e ka pasur në Londër dhe jo në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore