Shqipëria

Sulmohet kibernetikisht Albanian Post


Prej orëve të para të mesditës së sotme, Albanian Post ka qenë pre e sulmeve të vazhdueshme kibernetike, të cilat kanë shkaktuar për mbi pesë orë avari në faqe, duke sjellë edhe bllokimin e plotë në aksesimin e saj.

Gjatë kësaj kohe, ekipi i inxhinierëve kompjuterikë të Albanian Post ka punuar për rikthimin e faqes në linjë, duke e arritur me sukses zhbërjen e sulmit. Teksa, aktualisht, po punohet për të gjetur shkaktarët e vërtetë të kësaj ngjarjeje.

Prej të dhënave të para që zotërohen nga ekipi i AP-së, bie në sy se sulmi ka qenë tejet masiv, duke përdor një teknikë të njohur si DdoS, e cila praktikisht e ngarkon faqen me përdorues fiktivë, të ridrejtuar në adresën web të Albanian Post, duke krijuar avari në aksesimin e saj prej personave realë.

Në tërësi, gjatë pesë orëve, fluksi ka qenë prej 340 milionë DdoS.

Nga harta e shënjuar në zonën e trafikut të tyre, mbi 153 milionë janë të ardhura nga SHBA-të, 62 milionë nga Gjermania, 30 milionë nga Tailanda, thuajse 29 milionë nga Franca dhe 28.4 milionë nga Irani.

Rreth 1 mijë e 400 sulme goditën gjatë orëve të avarisë faqen, duke shkaktuar mbylljen.

Prejardhja e saktë e sulmit nuk është evidentuar ende dhe inxhinierët e Albanian Post po punojnë për gjetjen e të gjitha të dhënave të qenësishme të këtij sulmi.

Redaksia e Albanian Post falënderon për mirëkuptimin dhe durimin e treguar të gjithë ndjekësit, të cilët janë mbajtur të informuar nëpërmjet mediave sociale gjatë kohës së avarive.

Faqja ndërkohë, është tërësisht e lundrueshme momentalisht pa probleme për përdoruesit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore