Lajme

Sulmi terrorist në Banjë, u vazhdohet paraburgimi për 2 muaj tre të dyshuarve


Pamje gjate sulmit terrorist ne Banje

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, e cila ka bërë të ditur se masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve është vazhduar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, ka thënë Gashi për AP.

Ajo ka njoftuar se masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve për sulmin ku mbeti i vrarë rreshteri, tanimë Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, është vazhduar deri më datën 24 prill.

Sulmi terrorist në Banjë

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë Heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore