Lajme

Sulmi në Banjskë, KFOR-i: Gjatë gjithë kohës kemi vepruar në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in


Ilustrim

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, të martën përmes një komunikate për media, ka theksuar se ishte i gatshëm të ndërhynte nëse kërkohej pas sulmit terrorist që ndodhi në Manastirin e Banjskës në Komunën e Zveçanit më 24 shtator.

KFOR-it, në këtë komunikatë për media, ka bërë të ditur se pjesëtarët e tij kanë qenë të pranishëm në zonë duke vëzhguar aksionin e Policisë së Kosovës dhe se pjesëtarët e këtij misioni kanë qenë duke vepruar ngushtë me institucionet e Kosovës dhe EULEX-it.

“Trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë. Ata vëzhguan nga afër situatën dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej. Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë vepruar në koordinim të ngushtë, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it, sipas komunikatës, mbetet në kontakt të rregullt me të gjitha palët e interesuara, “përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë”.

“Përmes KFOR-it, NATO gjithmonë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, vijon njoftimi i KFOR-it.

Në këtë komunikatë për media, KFOR-it gjithashtu ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e bisedimeve si e vetmja adresë ku mund të zgjidhen çështjet e mbetura.

“KFOR-i gjithashtu do të vazhdojë të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore