Lajme

Sulmi izraelit vret 22 persona në një shkollë në Gaza, sipas Hamasit


Një sulm ajror izraelit në një shkollë në qytetin e Gazës ka vrarë të paktën 22 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se kishin shënjestruar një qendër komanduese të Hamasit në shkollën al-Falah, të cilën Izraeli tha se grupi militant po e përdorte për të “planifikuar dhe kryer sulme terroriste kundër trupave IDF dhe Shtetit të Izraelit”.

Shkolla, e mbyllur gjatë luftës, strehonte njerëzit e zhvendosur, tha Ministria e Shëndetësisë.

IDF tregoi se ndërmori hapa për të zbutur rrezikun e dëmtimit të civilëve, duke përfshirë përdorimin e municioneve të sakta dhe mbikëqyrjes ajrore, si edhe akuzoi Hamasin për shfrytëzimin e infrastrukturës civile.

“Hamasi shkel sistematikisht ligjin ndërkombëtar, duke operuar nga brenda infrastrukturës civile në Rripin e Gazës dhe duke shfrytëzuar popullsinë civile të Gazës për aktivitetet e saj terroriste”, shpjegoi IDF.

Hamasi ka mohuar përdorimin e shkollave dhe vendeve të tjera civile për qëllime ushtarake.

Zyra e mediave qeveritare e Hamasit tha se personat e vrarë në sulmin e së shtunës në zonën al-Zaytoun, përfshinin 13 fëmijë – njëri foshnjë tre muajshe – dhe gjashtë gra.

Agjencia e mbrojtjes civile të Gazës raportoi të njëjtin numër të vdekjeve dhe shtoi se një nga gratë ishte shtatzënë.

Gjithashtu të shtunën, Ministria e Shëndetësisë tha se katër nga punëtorët e saj u vranë dhe gjashtë u plagosën në një “shënjestrim” izraelit të një magazine të Ministrisë së Shëndetësisë në zonën Musabah të Gazës jugore. Ministria nuk specifikoi nëse incidenti ishte një sulm ajror.

Shkolla të tjera janë goditur, disa prej tyre disa herë, nga sulmet ajrore izraelite, që nga fillimi i konfliktit të fundit me Hamasin më 7 tetor.

Në fillim të këtij muaji, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (Unrwa) tha se gjashtë nga punonjësit e saj u vranë në një sulm ajror izraelit në shkollën al-Jaouni në kampin e refugjatëve Nuseirat, i cili po përdoret si strehë nga mijëra palestinezë të zhvendosur.

Unrwa tha se ishte hera e pestë që goditet shkolla që nga 7 tetori.

Ushtria izraelite tha se kreu një “sulm të saktë ndaj terroristëve” duke planifikuar sulme nga shkolla. Ushtria pretendoi se nëntë nga të vrarët ishin anëtarë të krahut të armatosur të Hamasit dhe se tre prej tyre ishin staf i Unrwa.

Persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe duke marrë peng 251 të tjerë.

Izraeli u përgjigj me një fushatë ushtarake në Gaza që ka vrarë më shumë se 41 mijë njerëz, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore