Sulmi i Kurtit ndaj mediave nga New Yorku, Peci: S’i shërbejnë avancimit të interesave partiake, lëre më atyre shtetërore

Peci ka treguar një shembull se si opozita në Spanjë kishte përdorur një termë denigrues për kryeministrin spanjoll, i cili në vend të ankesave e kishte krijuar si një ‘meme’ në favor të tij, e cila i kishte ndihmuar në fitoren e zgjedhjeve.
SHFLETO

Lulzim Peci

 

Dini Fetahu
28.09.2024 16:23
Loading Icons...

Sipas Drejtorit të Institutit të Kosovës për Hulumtimin dhe Zhvillimin e Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, kryeministri Albin Kurti, nuk e ka zgjedhur audiencën e duhur në New York, sidomos kryesuesin e socialistëve, Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, për të thënë atë që e ka thënë aty, ku sulmoi mediat

Kryeministri Kurti në një fjalim në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, ka akuzuar partitë opozitare, të cilat i quajti si “regjimi i vjetër”, se po financojnë media të ndryshme me paratë e pista.

“Projektimi i qeverive të kaluara të Kosovës si “regjim i vjetër” thuajse fitorja VV të kishte ardhur përmes revolucionit, e jo me zgjedhje të lira, të cilat u pranuan menjëherë nga partitë tanimë opozitare, nuk i benë nder as vendit dhe as qeverisë së tanishme”, shkroi Peci në Facebook.

Për më tepër, zgjedhja e këtij tubimi për të sulmuar mediat në Kosovë nga Neë Yorku, ish-ambasadori i Kosovës në Suedi tha se me siguri se e ka lënë syhapur Sanchezin.

“Pse po e them këtë? Opozita e djathtë spanjolle dhe një pjesë e mediave për një kohë mjaft të gjatë e kanë keqshqiptuar qëllimisht emrin e kryeministrit Pedro Sanchez si ‘Perro Sanchez’ – ne shqip ‘Qeni Sanchez’”, shtoi.

Ai tregoi se kryeministri spanjoll në vend se të kërkonte mbylljen e mediave dhe hapjen e lëndëve në gjykata, ai e përqafoi këtë pseudonim denigrues të opozitës dhe mediave kundërshtare, duke e bë edhe një meme “Perro Sanxe” apo Qeni Sanxe”.

“Me këtë qasje ai arriti qe t’i bëjë për vete shumicën e votuesve të rijnë spanjoll. Kështu Sanchezi luftoi në zgjedhjet e përgjithshme në vitin e kaluar, dhe u bë përsëri kryeministër, përkundër të gjitha gjasave për humbje!”.

Fjalimet në këto forume me përmbajtje të tilla, në vlerësimin e Pecit, “nuk i shërbejnë avancimit të interesave partiake, e leje më atyre shtetërore”.

“Ato nuk janë forume për fushata zgjedhore!”.

Duke ironizuar, Peci potencoi se në vijim të sukseseve në politiken e jashtme, “rekomandoj që lobuesit në Spanjë t’ia rritni të ardhurat mujore në 10,000 Euro”, duke iu referuar Gani Jakupit, i cili është angazhuar nga Ministria e Punëve të Jashtme në zyrën e ambasadorit të Kosovës në Bruksel të Belgjikës me pagë prej 7 mijë e 500 euro.

Çka tha Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, ka akuzuar partitë opozitare se po financojnë media të ndryshme me paratë e pista.

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista”, ka thënë Kurti.

Ai pretendoi se partitë opozitare – të cilët kanë qenë në pushtet njëherë e një kohë – po frikësohen nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, prandaj po synojnë “të frikësojnë edhe të tjerët”, duke shpërndarë para “tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata”.

“Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘me i ndjekë paratë’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e ilegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim”, ka shtuar ai.

Gjatë fjalimit të tij ai ka lavdëruar qeverisjen e tij gati katërvjeçare duke potencuar se nuk ka “më grupe apo individë në Kosovë që mund të sfidojnë republikën tonë demokratike”.

“Nuk kemi burime të brendshme destabilizuese apo që kërcënojnë sigurinë e që agjencitë tona të sigurisë nuk mund ta menaxhojnë apo kontrollojnë”, ka shtuar ai.