Shqipëria

Sulmet ndaj SPAK nuk kanë vend në demokraci, përgjigjet BE ndaj deklaratave të Metës për Dumanin


Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci.

Kështu i është përgjigjur Bashkimi Evropian deklaratave të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kundrejt kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani.

Teksa, në reagimin e delegacionit të BE-së, shkruhet se mbështesin dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK.

Këtu, referuar pikërisht deklarimeve të Metës.

“Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, përmbyllet reagimi.

Po ashtu më herët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ndan të njëjtin mendim me Këshillin e Lartë të Prokurorisë kur bëhet fjala për sulmet e ish-presidentit, Ilir Meta, ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani.

Njëjtë si KLP-ja edhe Ambasada ka dënuar sulmet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit.

Në një reagim në mediat sociale SHBA-të theksojnë se do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë.

“SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”.

KLP-ja dënoi sulmin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani – të cilin e akuzoi se ishte takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.

Ajo tha se  i cilëson shqetësuese deklarata të tilla fyese dhe intimiduese, ndërsa bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”.

Vetë Dumani, në një reagim për mediat ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga ish-presidenti, Ilir Meta.

Ky i fundit u shpreh se sipas të dhënave të tij SPAK ka nisur hetimin për çështjen e CEZ-it pasi Dumani është takuar me Charles McGonigal,  ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, tashmë të dënuar në SHBA për lidhje me Rusinë, fshehje pasurie dhe dokumentesh.

Dumani thekson se, nuk e ka takuar kurrë Charles McGonigal dhe se gjithçka që thuhet në media është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucionin që ai drejton.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare”, tha kreu i SPAK.

Ndërkaq, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shpërthyer në një varg akuzash kundrejt Prokurorisë së Posaçme, duke e akuzuar këtë të fundit se është në shërbim të kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Me tone deri në ofenduese, ku bën etiketime si “SPAK-u torollaku”, apo duke thënë se kërkon përballje me kryeprokurorin Altin Dumani, Meta tha se misioni i tij tashmë është të demaskojë gjithë padrejtësitë e bëra nga Prokuroria e Posaçme.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një interviste në emisionin “Opinion”.

Ai parashtroi se nuk i intereson se në çfarë hetimi është vetë nga SPAK-u, duke e quajtur veten si politikanin më të pastër në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, thotë se i vjen keq që institucioni ka mbrojtur emra si Erion Veliaj në çështjen e inceneratorëve.

Megjithatë, akuzën e vazhdoi duke e quajtur SPAK-un edhe organizatë politike dhe jo një institucion hetimor në vend.

“SPAK është në shërbim kriminal të Edi Ramës. Torollaku se kujton se me këto presione do më ndalojë mua, e duke kapur ndonjë laraskë, do marrë peng Partinë e Lirisë”, shtoi më tej.

Sa i takon McGonigal, vetë SPAK ka pranuar kërkesën e deputetit demokrat, Gazment Bardhi për nisjen e hetimeve duke i kërkuar dokumentacion lidhur me këtë.

SPAK i ka kërkuar edhe vënien në dispozicion të materialeve fillestare të drejtësisë amerikane që disponohen prej tij.

Në shkresën e kryeprokurorit, Altin Dumani kërkohet vënia në dispozicion për nevoja të hetimit të akt-padisë së Zyrës së Prokurorit të Distriktit të Kolumbias, datë 15.09.2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore