Shqipëria

Sulm me thikë, plagosje dhe dëbime – Çfarë ndodhi dje në Tiranë?


Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, në një deklaratë për mediat ka bërë bilancin e përplasjeve në orët e para të mesnatës mes tifozëve të Feyenoord-it dhe Romës.

Sipas Dervishajt, Policia ka marrë masa për garantimin e rendit publik në Tiranë dhe në të gjithë territorin.

Ai tha se shërbimet e Policisë së Rendit Publik kanë tentuar të ndalojnë grupin e tifozëve të skuadrës Feyenoord, në rrugën “Mustafa Matohiti”, por ata në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë, me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Për sa më sipër, në qendrat spitalore, gjatë natës së shkuar janë drejtuar për ndihmë mjekësore 10 shtetas, nga të cilët pesë shtetas shqiptarë, tre italianë dhe dy holandezë, të cilët, pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, janë larguar.

Shërbimet e Policisë së Shtetit fillimisht u kanë bërë thirrje grupimeve të tifozëve për të ndërprerë prishjen e rendit publik, përdorimin e dhunës dhe goditjen e punonjësve të Policisë, të cilët kanë qenë në detyrë, duke i paralajmëruar se do të zbatohej ligji.

Në raport me sjelljen dhe kundërveprimin e grupimeve të tifozëve nga strukturat e Policisë së Shtetit, është ndërhyrë në mënyrë të përshkallëzuar dhe proporcionale, duke bërë të mundur shpërndarjen e tyre.

Janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Shtetit, 60 shtetas tifozë problematikë nga të dyja skuadrat, nga të cilët 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë.

Atyre u janë sekustruar leva, doreza hekuri, shkopinj druri, gurë, thika, lëndë piroteknike etj., për të cilët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po kryhen veprimet procedurale penale dhe hetimi do të vazhdojë.

Gjithashtu, sot, në orët e para të mëngjesit janë “deportuar” nëpërmjet Portit të Durrësit, 80 tifozë huliganë italianë, për të cilët, përveç largimit të tyre, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit.

Policia e Shtetit vlerëson sjelljen dhe reagimin e qytetarëve të Tiranës gjatë mbrëmjes së djeshme, për të shmangur frekuentimin e këtyre zonave ku janë kryer veprime të dhunshme nga tifozët, veprime të cilat nuk manifestojnë asnjë lidhje me sportin.

“Policia e Shtetit vlerëson maksimalisht edhe qasjen e ditës së sotme, ku qytetarët shqiptarë kanë vlerësuar maksimalisht dhe seriozisht thirrjen e autoriteteve shqiptare për të kufizuar lëvizjet në zonën ku janë të akomoduar tifozët, pranë stadiumit dhe për të mos përdorur automjetet në Tiranë”.

Gjithashtu Policia ka pasur një apel për bizneset në Tiranë, që të mos tregtojnë pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi, pasi përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në rast përfshirjeje të konflikteve fizike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore