Lajme

Suksesi i ardhshëm i Sony-t i fshehur te makinat elektrike


Kompania Sony e Japonisë planifikon të prezantojë këtë pranverë një kompani për të shfaqur hyrjen në tregun e automjeteve elektrike.

Këtë, duke kërkuar të shfrytëzojë pikat e forta në argëtim dhe sensorë për të luajtur një rol më të madh në lëvizshmërinë e gjeneratës së ardhshme.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se kompania e re nën emrin Sony Mobility Inc, vjen teksa gjigandi japonez i teknologjisë po “eksploron një nisje komerciale” të automjeteve elektrike.

Sipas presidentit të kompanisë, Kenichiro Yoshida, Sony është pozicionuar mirë në tregun e argëtimit dhe është gati për të ripërcaktuar lëvizshmërinë.

“Me teknologjitë tona të imazhit dhe sensorit, cloud, 5G dhe ato argëtuese të kombinuara me zotërimin tonë të përmbajtjes, ne besojmë se Sony është pozicionuar mirë si një kompani krijuese për të ripërcaktuar lëvizshmërinë”, ka thënë ai.

Sony ka ende një arsenal teknologjie të sofistikuar në fusha si sensorët për drejtimin autonom paçka se pozicioni dikur dominues në elektronikën e konsumit është tronditur nga rivalët aziatikë si Samsung-u i Koresë së Jugut.

Gjithashtu kompania mbetet një nga më të mëdhatë e argëtimit në botë, shtëpia e ekskluziviteteve të shquara të video-lojërave dhe filmave.

Dhe sistemet audio dhe ato argëtuese janë gjithnjë e më shumë një fokus për automjetet e gjeneratës së ardhshme.

Ndërkaq, Yoshida ka zbuluar një prototip të automjetit sportiv, VISION-S 02.

Modeli i ri përdor të njëjtën platformë të automjeteve elektrike si versioni i paralajmëruar më parë, VISION-S 01, që nisi testimin në rrugët publike në Evropë në dhjetor të vitit 2020.

Për presidentin e Sony-t, kompania e gjykon lëvizshmërinë si një “hapësirë ​​argëtimi” ku pasagjerët mund të zgjidhnin opsionet individuale të argëtimit dhe të përdornin lidhjen e internetit 5G.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore