Lajme

Suedia përpiqet të kapërcejë kundërshtimet turke ndaj bashkimit me NATO-n


Suedia po dërgon drejt Turqisë diplomatë në përpjekje për të kapërcyer kundërshtimet e Ankarasë ndaj planit për t’u bashkuar me NATO-n.

Kështu ka bërë me dije ministri i Mbrojtjes, Peter Hultqvist.

Turqia i ka befasuar aleatët e saj të NATO-s, duke deklaruar se nuk do t’i shikonte pozitivisht aplikimet për anëtarësim të Finlandës dhe Suedisë.

Për më tepër, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka pohuar se “vendet skandinave janë bujtina për organizatat terroriste”.

Referuar ministrit Hultqvist, do të dërgohet një grup diplomatësh për të zhvilluar diskutime me Turqinë.

E gjitha në mënyrë që të shihet se si mund të zgjidhet çështja dhe se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë.

Turqia ka deklaruar se dëshironte që vendet nordike të ndalonin mbështetjen për grupet militante kurde të pranishme në territorin e tyre dhe të hiqnin ndalimet për shitjen e disa armëve në Turqi.

Kurse NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se ishin të bindura se Turqia nuk do të ndalonte anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

Mirëpo, çdo vendim për zgjerimin e NATO-s kërkon miratimin nga të 30 anëtarët e aleancës dhe parlamentet e tyre.

Pritet që parlamenti suedez të zhvillojë një debat për aplikimin e anëtarësimit, një formalitet pasi tashmë ka një shumicë të gjerë për të.

Dhe qeveria do të marrë vendimin zyrtar për të aplikuar më vonë gjatë ditës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore