Shqipëria

Suedia ndalon hyrjen e shqiptarëve nga 20 shtatori


Qeveria suedeze ka vendosur të ndalojë hyrjen e shtetasve shqiptarë në kufijtë e tyre për shkak të gjendjes epidemiologjike të COVID-19 në Shqipëri.

Lajmin e ka bërë të ditur portali informativ Schengenvisainfo, mbi vendimin që hyn në fuqi më 20 shtator.

Ndalesa do të ketë edhe për shtetasit e Armenisë, Azerbajxhanit, Bruneit, Japonisë dhe Serbisë. Dalja nga lista e gjelbër e këtyre vendeve të treta, e ka shtyrë kabinetin qeveritar suedez të marrë këtë vendim.

Udhëtimet do të lejohen vetëm për qëllime shumë esenciale dhe vetëm për ata, të cilët janë rezidentë. Punonjësit shëndetësorë, dhe udhëtarët të cilët kanë nevoja të domosdoshme, do ta kenë të mundur të udhëtojnë dhe tranzitojnë nëse janë rezidentë në Suedi.

Udhëtarë në aeroportin e Stockholmit

Nëse të vaksinuarit do të kenë mundësinë të udhëtojnë, kjo do të vendoset në një çast të dytë. Gjasat janë që me rishikimin e masave, ata të lejohen nëse janë vaksinuar me dozat e aprovuara nga Agjencia Evropiane e Barnave.

Masat janë në ndryshime të vazhdueshme pavarësisht gjithçkaje. Pra, nëse një lehtësim i situatës së incidencës dy javore shihet në vendet e treta, ministria e Jashtme suedeze mund t’i rilejojë udhëtarët.

Plani fillestar do të zgjasë deri në fund të tetorit, me një rishikim dy-javor të masave.

Ndërsa nga lista e gjelbër, Shqipëria ishte paralajmëruar se do të hiqej së bashku me Serbinë. Dy vendet e Ballkanit Perëndimor, ishin të fundit në rajon, të cilëve i lejoheshin udhëtimet drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Por, me rritjen e madhe të rasteve për shkak të variantit Delta, atyre iu ndalua kjo gjë.

Ndërsa për Shqipërinë, së fundmi, është njohur dhe njehsuar certifikata e vaksinimit me atë të vendeve të BE-së. Kjo nënkupton se qytetarët e vaksinuar me dozat e njohura nga EMA, mund të udhëtojnë në vendet e unionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore