Lajme

Stuhia e akullt lë mijëra njerëz pa energji elektrike në Texas


Stuhia e akullt që goditi disa pjesë jugore të SHBA-ve këtë javë ka ndërprerë udhëtimin dhe ka shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë në Texas.

Linjat ajrore amerikane kanë anuluar më shumë se 2 mijë e 150 fluturime, me aeroportet në Dallas dhe Austin që janë më të prekurit.

Për shkak të motit të keq janë raportuar dhjetëra përplasje makinash në rrugët e rrëshqitshme prej ngricave duke lënë të vrarë të paktën pesë vetë.

Vetëm në Texas, më shumë se 270 mijë njerëz janë pa energji që nga mëngjesi i së mërkurës së 1 shkurtit.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka njoftuar sakaq, se stuhia e zgjatur e akullit po vazhdon të përshkojë pjesën më të madhe të rrafshinave jugore.

Stuhia ka sjellë një përzierje të shiut të ngrirë dhe borës në pjesët jugoro-qendrore të SHBA-ve që nga e hëna.

Më shumë se 12 milionë njerëz, përfshirë Dallas, Fort Worth, Little Rock dhe Memphis janë aktualisht nën një paralajmërim për stuhi akulli.

“Kjo sasi e grumbullimit të akullit mbi atë që tashmë ka rënë ka të ngjarë të çojë në udhëtime më të pabesa nëpër rrugë të patrajtuara, së bashku me potencialin për dëmtime të pemëve dhe ndërprerje të energjisë”, kanë thënë autoritetet.

Dhe se pjesë të Texas-it, si dhe Luiziana dhe Georgia veriore mund të përjetojnë përmbytje të shpejta për shkak të shiut të dendur.

Ky fenomen i motit shkaktohet nga një kalim frontal i ftohtë i Arktikut që bën rrugën drejt jugut, ku po përballet me ajër të ngrohtë dhe të lagësht nga Gjiri i Meksikës.

Ndërkaq, rezultati janë reshjet dimërore që pritet të bien mbi rajon.

Dallas dhe Memphis kanë anuluar mësimin të mërkurën për shkak të kushteve të rrezikshme të rrugës.

Ekuipazhet e urgjencës në Texas i janë përgjigjur qindra thirrjeve për përplasje që nga e hëna, disa prej të cilave kanë qenë fatale.

Tre burra u vranë në një aksident afër Brownfield, në jugperëndim të qytetit të Texas-it të Lubbock, sipas Departamentit të Sigurisë Publike të shtetit.

Sakaq, disa departamente të policisë lokale u kanë kërkuar shoferëve të drejtojnë me kujdes.

Departamenti i Policisë së Dallas-it u ka kërkuar njerëzve që të sigurohen që gomat e tyre të jenë të fryra, të ngadalësojnë shpejtësinë në rrugët e akullta dhe të shmangin përdorimin e kontrollit të lundrimit.

Guvernatori Greg Abbott u ka kërkuar shoferëve të qëndrojnë larg rrugëve nëse është e mundur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore