Lajme

Streha e kafshëve në SHBA ‘pushtohet’ nga 800 paraketë


Një strehë e kafshëve në SHBA është përballur me një dhuratë të pazakontë.

Plot 800 paraketë – një specie papagalli – u janë dorëzuar atyre për t’u përkujdesur.

Në faqen zyrtare në “Facebook”, Grupi i Mirëqenies së Kafshëve të Detroitit shkruan se “Jemi të shokuar. Një dhuratë për Krishtlindje që nuk e prisnim”.

Zogjtë u dorëzuan në dy grupe nga djali i pronarit të tyre, i cili i kishte mbajtur në një dhomë, në atë që streha e përshkroi si “një ambient shumë i pashëndetshëm”.

“Përgjegjësia e pronarit është indinjuese”, shkruan grupi.

Një grup i parë prej 497 zogjsh – të grumbulluar në shtatë kafaze – u dorëzuan më 23 dhjetor. Por, më pas, djali i pronarit u kthye në Boxing Day (festë që festohet pas Krishtlindjeve) me 339 të tjerë.

“Ne u shokuam”, shkruante grupi, “por nuk mund t’i largonim ata”.

Kelly LeBonty, drejtoresha e grupit të shpëtimit, për gazetën më të madhe të përditshme në Detroit “Free Press” tha se djali u shpreh se babai i tij fillimisht kishte planifikuar të mbarështonte vetëm një pjesë të vogël të zogjve, por kishte shpenzuar 1 mijë e 200 dollarë (890 paund) në muaj për ta.

“Ata mezi po lëviznin. Ne duhej t’i nxirrnim jashtë dhe në kafaze të ndryshme”, tha ajo.

Paraketët do të jepen për adoptim, pasi të vlerësohen nga një veteriner, tha grupi.

Po ashtu shtuan se “të mbash një paraket është një angazhim 6-15-vjeçar”.

“Si çdo kafshë shtëpiake, ata duhet të jenë pjesë e familjes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore