Kosova

Stradner shpreh drojë rreth përhapjes së propagandës ruse për “përshkallëzim para shtatorit” në Kosovë


Ilustrim

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, ka shprehur drojën rreth paralajmërimit të medieve propagandistike ruse për “përshkallëzim të ri para shtatorit” në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Kur propaganda ruse paralajmëron për një përshkallëzim të ri në Kosovë para shtatorit… kjo tregon gjithçka që duhet të dini”, ka shkruar Stradner, ndërsa në Rusi aktualisht gjendet edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vulin, pikërisht në kohën kur autoritetet serbe e ruse kanë paralajmëruar “kaos” në veri të Kosovës ditët apo javët në vijim.

“Vulini do të jetë në Moskë këtë javë për të takuar [ministrin e jashtëm, Sergei] Lavrov dhe [sekretarin e Këshillit të Sigurisë, Sergei] Shoigu… Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar kaos në Kosovë. E ndërkohë… revista zyrtare e MPJ-së ruse vazhdon të flasë për një konflikt në Ballkan”, ka shkruar Stradner në platformën “X” para një dite duke folur rreth zhvillimeve.

Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive (FDD) në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në një intervistë për programin e “Radios Evropa e Lirë” në gjuhën serbe javën e kaluar, ka paralajmëruar gjithashtu se Rusia do të vazhdojë përpjekjet për të destabilizuar rajonin dhe sfiduar NATO-n edhe përgjatë vitit 2024, posaçërisht në Kosovë.

Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndëretnike në rajon, tani rreziku i ripërshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore