Kosova

Stradner: Në vitin 2024 pritet një raund i dytë i përshkallëzimit në Kosovë


Ivana Stradner

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, vlerësoi në një postim në platformën “X” të shtunën se në vitin 2024 pritet një “raund i dytë” i përshkallëzimit të tensioneve në Kosovë, posaçërisht në pjesën veriore të territorit kosovar që banohet kryesisht me serbë etnikë.

Stradner, këshillitare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë (FDD), përmendi sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë në fund të majit të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, ndaj trupave të Forcës së NATO-s (KFOR), duke alarmuar se përgjatë vitit pritet edhe një skenar i ngjashëm sikurse në vitin paraprak.

Duke komentuar interesimin e Armenisë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE) për shkak të rrethanave gjeopolitike, ajo deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) presin që edhe Serbia të ndjek të njëjtën rrugë, porse shtoi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, për momentin është i interesuar vetëm në mbështetjen financiare që ofron blloku.

“Kjo është ajo çfarë Uashingtoni priste gjithashtu nga Serbia, por Vuçiç është përfaqësuesi i Rusisë që do vetëm paratë perëndimore, kështu që ky plan nuk do të funksionojë. Vitin e kaluar 90 paqeruajtës të NATO-s u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në veri të Kosovës. Në vitin 2024 pritet një raund i dytë”, paralajmëroi për herë të dytë ajo.

Disa javë më herët, ajo tha në një intervistë për gazetën serbe “Danas” se Kosova është pjesë e strategjisë malinje të Rusisë për të dëshmuar dobësinë e NATO-s para botës përmes nxitjes dhe përshkallëzimit të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës. Stradner nëpër paraqitjet publike vazhdimisht paralajmëron ndërkombëtarët për planet destabilizuese të Rusisë.

Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndër-etnike, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore