Lajme

Stop mbrojtjes së Mariupolit – Ukraina nxjerr urdhër ushtarak


Komanda ushtarake ukrainase ka dhënë urdhër direkt që mbrojtjes së Mariupolit t’i vijë fundi menjëherë.

Ushtarët azovë kanë marrë urdhër për të ndaluar luftimet dhe lajmin, e ka bërë me dije vetë komandanti i batalionit azov, Denys Proponenko, i cili gjendet ende brenda fabrikës së çelikut, Azovstal.

Sipas Moskës, rreth 2 mijë persona janë dorëzuar deri tani. Nga pala ukrainase ndërkohë, nuk ka shifra konkrete.

Civilët dhe ata të cilët janë të lënduar rëndë, janë evakuuar prej ditësh tashmë. Një pjesë janë dërguar në spital për mjekim, ndërsa pjesa tjetër, ndodhen në internim në rajonin e Donetsk-ut, në zonat e kontrolluara nga rusët.

Vetë Proponenko, deklaroi nëpërmjet një video mesazhi se i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Kievit për të lënë armët.

“Komanda ushtarake na dha urdhër të shpëtonim jetët e luftëtarëve tanë dhe të ndalonim mbrojtjen e qytetit”, tha ai.

Ajo çfarë pritet me më shumë kërshëri ndërkohë, është shkëmbimi i pengjeve që pritet të ndodhë mes Ukrainës dhe Rusisë.

Luftëtarët azovë do të këmbehen me pengje ruse të luftës, por numrat ende nuk janë bërë publikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore