Lajme

Stoltenberg thotë se ekziston potenciali për tensione në Kosovë e Bosnje


Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është ende shumë e brishtë dhe ka potencial për tensione në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në një konferencë për media me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiç, Stoltenberg ka vlerësuar se NATO-ja është e gatshme të kryejë mandatin e saj në Kosovë, përmes KFOR-it për të garantuar stabilitet.

“Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Kjo ka bërë që NATO-ja menjëherë të angazhojë forca shtesë në Kosovë“, ka thënë Stoltemberg.

Paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, sipas Stoltenberg, kanë rëndësi për të gjithë NATO-n.

“Për këtë arsye ne ishim shumë të shqetësuar kur pamë një rritje të dhunës dhe tensioneve gjatë vitit të kaluar, me disa incidente shumë të rënda, veçanërisht në Kosovë, dhe kjo çoi në vendimin e komandantëve tanë ushtarakë për të përforcuar misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë me 1 mijë trupa shtesë”.

I pari i NATO-së ka vlerësuar se kjo organizatë vazhdimisht është duke e vlerësuar situatën në rajon.

“Ne vazhdimisht po vlerësojmë çdo nevojë për përshtatje të mëtejshme apo prani”, është shprehur Stoltenberg.

Pas sulmeve terroriste kundër Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar NATO-ja e ka përforcuar misionin e vet KFOR-in në Kosovë.

Kosova e ka fajësuar shtetin e Serbisë për sulmin, ndonëse kjo e fundit ka mohuar gjithçka.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Milan Radojiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Në anën tjetër Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) tashmë ka lëshuar fletarrestim për të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore