Lajme

Stoltenberg thotë NATO-ja është aleanca më e suksesshme në histori, derisa përmend ndërhyrjen në Kosovë


Jens Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një fjalimi para fondacionit “Heritage” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke theksuar sukseset e aleancës përgjatë ekzistencës 75-vjeçare dhe përfundimit të Luftës së Ftoftë, përmendi shkurtimisht edhe ndërhyrjen humanitare në Kosovë në fund të dhjetëvjeçarit të shekullit të kaluar.

“NATO-ja është aleanca më e suksesshme në histori për dy arsye; njëra është se ne kemi qenë në gjendje të ndryshojmë kur bota ndryshoi. Për 40 vjet frenuam Bashkimin Sovjetik dhe njerëzit thanë se NATO-ja duhet të dalë jashtë zonës së komoditetit dhe iu dhamë fund dy luftërave brutale etnike në Ballkan: Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë”, tha Stoltenberg.

Ndërhyrja ushtarake në Kosovë konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që aleanca ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Wesley Clark, gjenerali amerikan dhe komandanti i përgjithshëm i forcave evropiane, udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ).

Më 24 mars 2024 bëhen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë trans-atlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO-ja ndërhynë në një territor pa pasur mandat nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore