Lajme

Stoltenberg: Lufta mund të zgjasë vite të tëra


“Lufta në Ukrainë mund të zgjasë për vite të tëra”.

Ky është paralajmërimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë të dhënë për të përditshmen gjermane “Bild”.

Një paralajmërim ky, të cilin Stoltenberg nuk e bën për herë të parë, por që vjen i përforcuar, duke pasur edhe një panoramë më të qartë të situatës, thuajse katër muaj pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

Sipas tij, jo vetëm Kievi, por e gjithë Evropa, duhet të përgatitet për atë çfarë mund të ndodhë gjatë kësaj periudhe.

Mbi të gjitha, ai nënvizon rëndësinë që ka mbështetja evropiane për popullin ukrainas, e cila nuk duhet të ndalojë asnjë sekondë së shfaquri.

“Nuk duhet të dobësojmë forcën e mbështetjes për Ukrainën”, theksoi ai gjatë intervistës. “Edhe nëse kostot janë të larta, si në kosto ushtarake, ashtu edhe në termat e energjisë apo çmimeve të ushqimeve, nuk duhet të dobësohet”.

Mbështetjen, Evropa e ka treguar që prej fillimit të luftës, së bashku me SHBA-të dhe pjesën tjetër të botës perëndimore. Kjo, jo vetëm nëpërmjet ndihmave për Ukrainën, por edhe me sanksione shumë të ashpra ndaj Rusisë.

Kjo e fundit është konkretisht e përjashtuar nga shumë aspekte ekonomike botërore dhe po dëmtohet nga sanksionimet.

Mirëpo nga ana tjetër, ka shumë debat lidhur me sektorin energjetik, pasi disa vende të mëdha, si Gjermania, nuk po e ndalin dot furnizimin e vendit me naftë apo gaz rus.

Një zgjidhje më afatgjatë është kërkuar, duke përfshirë edhe SHBA-të, por ende nuk është arritur.

Ndërsa në territorin ukrainas – kryesisht atë lindor – ende vijohet të luftohet për çdo centimetër tokë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore