Kosova

Stoltenberg hedh poshtë paralajmërimet e Zelensky-it për “kriza të reja” në Ballkan: S’shohim ndonjë kërcënim nga Rusia  


Jens Stoltenberg

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të enjten, bëri një paralajmërim mjaft shqetësues duke thënë se Rusia mund të krijojë “kriza të reja” në Ballkan dhe Moldavi, në mënyrë që, siç tha ai, të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.

Paralajmërimi i Zelensky-it mund të përkufizohet si shqetësues meqë ai tha se ka informacione që “Rusia ka një plan të gjatë. (Së pari kemi pasur) Lindjen e Mesme – shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”.

Megjithatë sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk ka vend për panik në këtë fazë, meqë ai siguroi se Aleanca Veri – Atlantike nuk ka hasur deri më tani në ndonjë kërcënim serioz ushtarak që do të mund të vinte nga Rusia.

“Ne nuk shohim ndonjë kërcënim ushtarak që do të vinte nga Rusia ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s, apo rajonit, por gjithsesi se jemi të kujdesshëm dhe nga afër po vëzhgojmë çfarë po bën Rusia”, tha ai të martën në Shkup në një konferencë për media me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Sipas Stoltenbergut, NATO ka prani ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor i cili do të bëjë gjithçka për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të gjendjes së sigurisë në këtë pjesë të globit.

“Ne kemi prani ushtarake në këtë rajon, KFOR-in në Kosovë, shtabin e përgjithshëm në Sarajevë dhe zyrën në Beograd dhe jemi të përgatitur që të bëjmë gjithçka për të mbrojtur çdo aleat nga çfarëdo qoftë kërcënimi”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg, i cili arriti në Shkup pas vizitës në Beograd, tha se “siguria e Ballkanit Perëndimor është e një rëndësi të veçantë për NATO-n” dhe më këtë rast përmendi disa arsyeje që paraqesin “brengosje për aleancën”.

Në këtë kuadër, Stoltenberg foli edhe për zhvillimet në Kosovë, duke theksuar nevojën për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Në Kosovë kohë më parë pamë incidente me dhunë serioze që përfshinte edhe sulme të papranueshme ndaj trupave paqësore të KFOR-it dhe ata që e bënë këtë duhet të përgjigjen. Beogradi dhe Prishtina duhet të vazhdojnë me dialogun që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, pasi është mënyra e vetme drejt zgjidhjes e cila do të respektonte të drejtat e të gjitha bashkësive etnike”, tha shefi i aleancës ushtarake perëndimore.

Si duhet lexuar paralajmërimi i Zelensky-it për “kriza të reja” në Ballkan?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore