Lajme

Stoltenberg: Autorët e sulmit në Banjë të mbahen përgjegjës – do e ngris këtë çështje edhe në Serbi


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se autorët e sulmit terrorist më 24 shtator në Zveçan duhet të mbahen përgjegjës, derisa ka theksuar se këtë mesazh do ia përcjell edhe autoriteteve serbe gjatë vizitës së tij në Beograd këtë javë.

“Është i pa pranueshëm sulmi në maj, por edhe në shtator në Banjë dhe kjo është arsyeja që e kemi rritur praninë tonë dhe kemi dërguar edhe 1 mijë trupa të tjerë. Sigurisht NATO nuk është institucion i zbatimit të ligjit, pres që autorët të mbahen përgjegjës, ky ka qenë mesazhi im që nga maji dhe është përsëritur edhe pas rastit në muajin shtator. Do ta ngris këtë çështje edhe në Serbi. Duhet të sigurohemi që ky rast të mos përsëritet edhe njëherë”, tha Stoltenberg.

Ai ka theksuar se sulmet e tilla ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë të pa pranueshme, derisa ka shtuar se NATO-ja ka reaguar me shpejtësi, “kemi sjellur 1 mijë trupa shtesë në Kosovë dhe kemi ngritur patrulla në Veri”.

“Në çdo kohë do të bëjmë çka do që është ë nevojshme do të bëjmë për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjithë njerzitë në Kosovë. Në shtator pamë një ndezje të dhunës në veriun e Kosovës që ngriti shqetësimet që një konflikt më i gjerë mund të kthehet në Ballkanin Perëndimor. Në maj trupat e KFOR-it u sulmuan duke lënë 93 ushtarë të lënduar”, shtoi ai.

Ai ka treguar se NATO-ja po shqyrton mundësinë që ta rrisë numrin ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe Ballkan.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

“Tani po e rishikojmë nëse duhet të kemi një rritje të përhershme të forcave tona në Kosovë dhe Rajon. Çdo vendosje e forcave të Policisë së Kosovës duhet të marrë konfirmimin e NATO-s, paqja dhe sigurua nuk duhet të rrezikohen”.

“Kemi histori në këtë pjesë të Evropës që nga vitet e 90-ta, kemi investuar shumë në stabilitet në këtë pjesë. Do të shkojë edhe në Maqedoni të Veriut dhe atje kemi ndihmuar për parandalimin e dhunës para 20 viteve dhe i kemi parandaluar dy luftëra ndëretnike në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. Do të bëjmë atë që është e nevojshme për sigurinë në këtë pjesë të Ballkanit”.

Gjatë konferencës për media, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka potencuar se NATO-ja e mirëpret propozimin e BE-së për draft-statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“E mirëpres propozimin e fundit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimin të marrëdhënieve”.

Ai po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të një turneu katërditor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë së cilit ka qëndruar edhe në Bosnjë-Hercegovinë, ndërsa pas Kosovës, pritet të udhëtojë drejtë Serbisë dhe Maqedonisë të Veriut, për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë dhe situatën e rënduar të sigurisë në rajon.

Vizita e Stoltenbergut në Kosovë duhet parë jo si një vizitë e rëndomtë, por si një vizitë e rëndësishme në një momentum të ri gjeopolitik, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë dhe sidomos pas përpjekjeve të shtuara të Rusisë që nëpërmjet Serbisë të shtrijë ndikimin në këtë rajon të ngjeshur nga tensionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore