Biznes

Stigma e të punuarit kamerier në Spanjë


Spanja, pas thatësirës dyvjeçare, po përballet sërish me vërshimin e  turistëve.

Por, pikërisht kur industria e mikpritjes fillon të rikuperohet nga pandemia, ajo përballet me një krizë të re.

Është mungesa e kamerierëve.

Restorantet, nga Mallorca në Madrid, po vuajnë për kamerierë me dhjetëra mijëra vende pune që presin të plotësohen.

Në Ibiza, pronarët e hotelit Hard Rock janë aq të dëshpëruar, saqë janë detyruar t’i ofrojnë stafit një bonus prej 200 euro për të gjetur punonjës të përshtatshëm.

Këtu ka një paradoks.

Atje, papunësia llogaritet në 13.4 për qind – më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së prej 6.2 për qind – megjithatë ka më shumë se 100 mijë vende të lira pune.

Më shumë se gjysma e të cilave janë në sektorin e mikpritjes.

Kjo, paçka se zyra kombëtare e statistikave ka deklaruar se 85 mijë bare dhe restorante janë mbyllur përgjithmonë në vitin e parë të pandemisë.

“Njerëzit vijnë për intervista dhe thonë: Kam tri oferta pune tanimë”, ka treguar Albert Cabanos nga një agjenci punësimi.

“Më parë i thoshim aplikantit se do të të telefonojmë për çdo gjë. Kurse tani, aplikanti na thotë se do t’ju telefonoj nëse do të jem i interesuar”, ka treguar ai.

Spain values good service with a side order of respect | Financial Times

Ku kanë shkuar kamerierët?

Shumë prej tyre janë emigrantë. Të tjerë kanë shkuar në vendet e tyre, duke preferuar të qëndrojnë pranë familjes dhe miqve.

Tani, qeveria propozon ndryshime në ligjin e imigracionit për ta bërë më të lehtë për emigrantët t’i bashkohen ligjërisht fuqisë punëtore.

Shumë më shumë kamerierë u detyruan të kërkonin punë diku tjetër, pasi kufizimet e COVID-it goditën sektorin e mikpritjes më tepër se çdo sektor tjetër.

Kështu, ata kanë ngecur në punët e reja, duke gjetur avantazhe që nuk i kishin në jetën e tyre të mëparshme.

Jeffrey Feliz Jiménez ka punuar si kamerier dhe kuzhinier për tetë vjet në Almeria në Spanjën Jugore.

Ai e ka lënë punën, pasi ka gjetur orare të rregullta pune në një magazinë mobiljesh.

“Askush nuk i respekton kontratat dhe ju kurrë nuk e dini se cilat janë orët tuaja”, ka thënë ai.

“Duhet të punosh deri sa bari të mbyllet, por nuk e di se kur vjen dhe përfundoni duke punuar shumë orë të papaguara”, ka shtuar.

Edhe kur kufizimet morën fund, baret dhe restorantet pësuan një sërë kufizimesh në orët e hapjes dhe kapacitetin e vendeve që, në shumë zona, mbetën në fuqi deri në janar të këtij viti.

Referuar shifrave të qeverisë, vetëm dhjetë për qind e punëtorëve të mikpritjes janë me kontrata të përhershme dhe shumë prej tyre nuk kishin të drejtë për pushim të paguar.

Sektorë të tjerë, si ndërtimi dhe logjistika, u rikuperuan më shpejt se sa mikpritja.

“Askush nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë që turizmi do të ndalej kaq papritur”, ka thënë Cabanos.

“Punonjësit duhej të rimendonin karrierën e tyre dhe kështu zbuluan mënyra të jetesës që janë shumë më të pajtueshme me jetën familjare”, ka vijuar.

Nga ana tjetër, pronarët ankohen se është gjithnjë e më e vështirë të gjesh kamerierë profesionistë, me më pak të rinj që kërkojnë një karrierë në sektor.

“Ka një stigmë që e rrethon të qenit kamerier. Sikur nuk është një punë e duhur, edhe pse je në një biznes që i bën njerëzit e lumtur”, ka thënë menaxheri Patrick Pescetto.

Është edhe bllokimi që u dha shumë njerëzve një shans për të vlerësuar jetën e tyre.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore