Lajme

Steinmeier: Propozimi franko-gjerman ka arritur sukses


Frank-Walter Steinmeier

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se propozimi franko-gjerman për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë ka arritur sukses dhe po pranohet gjerësisht.

Në një konferencë të përbashkët me homologun e tij maqedonas, Steve Pendarovski, ai pohoi se dokumenti është fillesë e mirë për zgjidhjen e problemeve.

“Ata po përgatiteshin për këtë, po bëheshin propozime. Jam i lumtur sepse propozimi franko-gjerman tani ka arritur sukses dhe po pranohet”, ka pohuar Steinmeier, transmeton portali i Shkupit 24info.

Sipas tij, kjo mund të inkurajojë palët e interesuara që të vazhdojnë bashkëpunimin në kuadër të dialogut dhe se Bashkimi Evropian po trajton me urgjencë dialogun Prishtinë-Beograd.

“Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, mund t’ju them se i gjithë Bashkimi Evropian është i interesuar që urgjentisht të vijë deri te normalizimi i marrëdhënieve”.

Shefi i shtetit gjerman po qëndron për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, dhe më pas do të vizitojë edhe Shqipërinë, dy vendet ballkanike, të cilat së fundmi i kanë hapur negociatat me BE-në.

Çfarë parashihet me planin franko-gjerman?

Nëse Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e bazuar në propozimin franko-gjerman, atëherë Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës dhe ta trajtojë si një realitet të ndarë juridik, derisa Kosova duhet të pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Propozim – marrëveshja është pagëzuar “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”, dhe nenet kryesore janë të bazuara në kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga e cila rregullohen raportet ndër-shtetërore.

Ndërkaq, duke marrë parasysh atë se çfarë parashihet me propozimin franko-gjerman, analistët politikë në vend kanë vlerësuar se Kosova duhet ta pranojë këtë projekt.

Ndryshe, propozimi është përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kurse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka potencuar se është “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar vazhdimisht se ajo që ka parë është “e vështirë për Serbinë”.

Albanian Post ka publikuar ekskluzivisht dokumentin franko-gjerman.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore