Kosova

Stano për Albanian Post: Kosova ta shtyjë menjëherë vendimin për targat – t’i suspendojë masat e shakllëzuara


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Albanian Post, iu ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që ta shtyjnë menjëherë, pa vonesa, vendimin për targat dhe t’i suspendojnë masat e shkallëzuara për qytetarët serbë.

“BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM”, theksoi ai për AP.

“Është përgjegjësi e palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin”, nënvizon ai dhe shton se “çdo veprim, si djegia e makinave, ose retorika frikësuese që mund të çojë në tensione, është e papranueshme dhe do të shkaktojë një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar”.

Tërheqja përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës, për Stanon, s’është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale por “ka potencialin që tensionet të përshkallëzohen në terren”.

Gjithashtu, ai i ka bërë thirrje Serbisë dhe Listës Serbe që të respektojnë obligimet e tyre dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat që kanë marrë përsipër, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale.

Ndërkaq, Stano kujtoi edhe detyrimet që kanë institucionet e Kosovës për ta zbatuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”.

“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”, vuri në pah ai.

Në fund, Stano garantoi se çdo veprim që do të çonte në konfrontim, në koordinim të ngushtë me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR-in) dhe Policinë e Kosovës, misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) është i gatshëm të sigurojë stabilitet në terren.

“BE-ja është e gatshme të vazhdojë të lehtësojë negociatat, por të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për të kërkuar zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në Dialog”, përfundoi ai.

Ndërtimi i ngjarjes

“Lista Serbe” vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Kjo, pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Kryetari i Listës Serbe (njëkohësisht ministri për Komunitete dhe Kthim), Goran Rakiç, u dorëhoq nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.

Edhe Igor Simiç, i cili është deputet në radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe Policia.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi Rakiç pas takimit.

Në anën tjetër zyrtarë të Policisë së Kosovës, pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga të gjitha institucionet kanë larguar nga trupi i tyre uniformat e Policisë së Kosovës.

Masa ‘paraprake’

Në Veri të Kosovës, përkatësisht në pikën kufitare në Jarinjë, është shtuar numri i pjesëtarëve të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Kjo, pas tërheqjes së “Listës Serbe” nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Policë të EULEX-it nga kontingjenti polak janë duke qëndruar në Jarinje dhe po monitorojnë situatën nga afër.

Gjithashtu, në mes të Jarinjës dhe Mitrovicës së Veriut, edhe ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR-it) janë të stacionuar pranë rrugës kryesore.

Aktualisht, situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore