Lajme

Stano: Kurti e Vuçiç së shpejti takohen në Bruksel


Peter Stano

Marrëveshja e arritur dje në Bruksel për çështjen e targave në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk është fundi i procesit.

Pas arritjes së kësaj marrëveshjes për targat, liderët shtetërorë nga Kosova dhe Serbia, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, sipas Stanos, do të ftohen së shpejti në Bruksel për të filluar diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në propozimin franko-gjerman.

“Marrëveshja e arritur dje nuk është fundi i procesit. Ky është fillimi i punës që shpresojmë se do të na nxjerrë nga kjo situatë e përhershme e zgjidhjes së krizave dhe do të na lejojë të fillojmë një fazë të re të trajtimit të çështjeve”, ka deklaruar Stano në një konferencë për media.

Rikthimi i serbëve të Kosovës në institucione dhe krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, sipas Stanos janë kërkesat themelore të BE-së.

“Është e rëndësishme të përmbushen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, ky është edhe mesazhi konsisten i Bashkimit Evropian drejtuar palëve”, ka shtuar ai.

Kosova dhe Serbia, përkatësisht kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic kanë nënshkruar marrëveshje në Bruksel për de-eskalim ku Kosova heqë dorë nga zbatimi i masave për veturat me targa ilegale, derisa Serbia zotohet se nuk do të prodhojë më të reja.

Sipas marrëveshjes së arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve, pra nuk do ketë gjoba dhe as konfiskime, ndërsa Serbia do të ndalojë lëshimin e targave ilegale me emërtimet e qyteteve të Kosovës.

Ndryshe, siç u kuptua pas takimit të fundit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, BE-ja kishte ofruar një propozim i cili kërkonte nga Serbia që të mos lëshojë më targa ilegale, kurse nga Kosova të mos gjobisë shoferët që vozisin makina me targa ilegale.

Serbia e pranoi kushtin, derisa Kosova pranoi por me kërkesën që të diskutohet brenda këtij pajtimi – ashtu siç ishin rënë dakord edhe më herët – për precizimin e fund-muajit shkurt si afati kur duhet të arrihet një pajtim fillestar për marrëveshje përfundimtare.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Kosova ka hequr dorë nga gjobat – arrihet pajtim në Bruksel

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore