Kosova

Stano: BE-ja po përpiqet ta ndihmojë Kosovën dhe Serbinë për gjetjen e një zgjidhjeje për dinarin


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, të premten, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se Unioni u ka dërguar ftesa Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen çështjes së valutës shtetërore serbe, dinarin, në kuadër të procesit të dialogut.

Sipas Stanos, roli i Unionit në dialog nuk është të komentojë, por t’i ndihmojë palët të gjejnë një zgjidhje.

“I kemi dërguar ftesa partnerëve për zgjidhjen e disa çështjeve, e kemi shpjeguar në detaje dje, kështu që tani shpresojmë që të dyja palët të bien dakord për të dhe të zgjidhin problemin”, ka thënë ai.

Duke komentuar rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, Stano ka potencuar se rregullorja ka qenë e pafavorshme dhe e i pakonsultuar më parë që ka ndikuar te pala tjetër në këtë rast, Serbia.

Ndryshe ftesën e BE-së për dialog e ka refuzuar zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili deklaroi ditë më parë se çështja e dinarit “nuk është pjesë e dialogut”.

“Ka kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”, potencoi ai.

Ai ka akuzuar emisarin Miroslav Lajçak për caktim të takimit në mënyrë të njëanshme, duke mos u koordinuar si zakonisht për agjendën e takimit.

“Kësaj radhe mendoj që ai i ka shkelë parimet të cilat i ka vendosur vetë, për arsye që është hera e parë që ka caktuar një takim pa dakordim me palët dhe është munduar që të përcaktojë edhe agjendën, përkundër parimit që ai ka vendosur në vitin 2021 që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”. ka shtuar Bislimi.

Sipas Bislimit, pala kosovare mund udhëtojë në Bruksel për të marrë pjesë në dialog vetëm kur kërkohet diskutim për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.

“Unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do të shohim se kush mund të shkojë që të bisedojë për çështjen e dinarit, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, ka thënë Bislimi në një prononcim për gazetarët.

Bislimi refuzon ftesën për diskutim në Bruksel për dinarin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore