Stafi amerikan i OSBE-së largohet nga Donetsk-u

SHFLETO
Vitjon Nina
13.02.2022 10:05
Loading Icons...

Stafi amerikan i atashuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëveprim në Evropë (OSBE) ka filluar largimin nga qyteti i Donetsk-ut, sipas disa dëshmitarëve, të cilët kanë folur për agjencinë e lajmeve Reuters.

Në bazë të dëshmive, stafi është i frikësuar se mos një pushtim rus ndodh së shpejti. Kjo, edhe pas paralajmërimeve të shumta amerikane mbi çështjen.

Thirrje u është bërë jo vetëm përfaqësive diplomatike në Ukrainë, por edhe qytetarëve të thjeshtë.

Një pjesë e madhe e shteteve, u kanë kërkuar atyre të largohen sa më parë nga Kievi apo qytetet e tjera.

Nga ana tjetër, rusët kanë akuzuar drejtpërdrejt amerikanët, mbi pretendimin se këta të fundit, kanë shkaktuar situata paniku duke shpërndarë informacione të rreme, se Moska do të mësyjë javën e ardhshme në Ukrainë.

Dy telefonata me rëndësi sakaq, ndodhën të shtunën e 12 shkurtit. E para, ishte mes kryediplomatëve, Antony Blinken dhe Sergey Lavrov.

Blinken ishte i vetmi, i cili foli pas takimit, duke thënë se e kishte bërë të qartë situatën. Ose Kremlini largon trupat nga kufiri, ose do të ketë një përgjigje të NATO-s.

Biseda e mëvonshme u zhvillua mes presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij rus, Vladimir Putin, të cilët folën për rreth një orë.

Ashtu si me rastin e kryediplomatëve, edhe në këtë rast, ishte Biden ai që zbardhi takimit. Retorika, ishte e njëjtë me atë të Blinken.

Ndërkohë, një deklaratë nga Presidenca ruse, erdhi në emër të këshilltarit të Putin-it, Yuri Ushakov.

Ai përmendi faktin se telefonata, më shumë përngjante me një thirrje biznesi, ndërsa akuzoi sërish amerikanët, se kanë përhapur panik me lajme të rreme.

Tensionet sakaq vijojnë. Ndërsa, largimet nga Ukraina, sa vijnë e shtohen.