Sport

Stadiumet në Serie A do të rikthehen me kapacitet prej 50 për qind


Në muajin shkurt, stadiumet e Serie A do të rikthehen me kapacitet prej 50 për qind, mirëpo drejtori gjeneral i ligës, Luigi De Siervo, pret më shumë ndihmë nga qeveria italiane.

Rritja e rasteve pozitive me COVID-19, ka bërë që Qeveria e Italisë të lejojë vetëm praninë e 5 mijë tifozëve në stadiume gjatë dy raundeve të fundit në Serie A.

Por, sipas asaj që raportojnë mediat në Itali, kjo tani do të ndryshojë nga muaji shkurt.

“Në shkurt, me siguri do të kthehemi në 50%, por me mbështetjen e nënsekretares, Valentina Vezzali, shpresojmë të arrijmë 75% dhe 100% së shpejti”, tha De Siervo për La Gazzetta dello Sport.

“Përndryshe do të pësojmë dëme ekonomike dhe sportive. Mendoni për garat evropiane. Skuadrat tona do të luanin brenda stadiumeve dhe nuk mund të merrnin të njëjtën mbështetje nga tifozët e tyre në shtëpi”, shtoi më tej De Siervo.

Pra, ky do të jetë një lajm i mirë për skuadrat italiane, pasi që ata po shënojnë rënje të madhe ekonomike për shkak të masave anti-COVID.

Ndërkaq, sa i përket ligave tjera të forta evropiane, Premier Liga e Anglisë ka hapur dyert e stadiumeve në kapacitet prej 100 për qind, ndërsa ligat e Gjermanisë dhe të Francës, po përballen me kufizime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore