Aplikacione

Spotify kalon 200 milionë përdorues që paguajnë, por humbjet thellohen


Gjigandi i transmetimit të muzikës Spotify raportoi një total prej 205 milionë abonentësh me pagesë në fund të 2022, duke mposhtur pritshmëritë. Megjithatë rritja e tyre, nuk u përkthye në fitime.

Kompania suedeze, e cila javën e kaluar njoftoi se po shkurtonte pothuajse 6 për qind të fuqisë së saj punëtore për të ulur kostot, postoi një humbje neto prej 430 milionë euro për vitin krahasuar me një humbje prej 34 milionë euro në 2021.

Analistët kishin parashikuar një humbje prej 441 milionë eurosh, sipas “Factset”.

Të ardhurat për vitin e plotë gjithashtu kaluan paksa parashikimet, duke arritur në 11.7 miliardë euro ose një rritje prej 21 për qind nga një vit më parë.

Numri i abonentëve që paguajnë u rrit me 14 për qind në 205 milionë, duke mposhtur pritjet e analistëve prej 202 milionë, të cilat grupi ia atribuoi rritjes së fortë në të gjitha rajonet, veçanërisht në Amerikën Latine.

Është hera e parë që Spotify ka tejkaluar 200 milionë abonentë me pagesë.

Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Spotify, Daniel Ek, tha se kompania “kishte ofruar rritje të madhe të platformës”.

“Ne e përfunduam fuqishëm vitin 2022, pavarësisht një viti sfidues”, tha Ek në një postim në Tëitter.

Ndër të tjera, kompania tha gjithashtu se kishte përfituar nga fushatat promovuese, një sezon i fortë pushimesh dhe një rritje e fortë midis përdoruesve të Gen Z.

Numri i përgjithshëm i përdoruesve mujorë, përfshirë abonentët që përdorin versionin falas, arriti në 489 milionë në fund të vitit dhe duhet të arrijë shifrën 500 milionë në vitin 2023, tha Spotify.

Platforma ka postuar vetëm herë pas here një fitim tremujor që nga fillimi i saj.

Ajo ka postuar rregullisht humbje vjetore, pavarësisht rritjes së fortë të abonentëve dhe që ka pasur një fillim në krye me rivalët e saj si Apple Music dhe Amazon Music.

Ek javën e kaluar njoftoi se grupi po shkurtonte rreth 600 vende pune nga rreth 10 mijë, pas lëvizjeve të ngjashme nga gjigantët e tjerë të industrisë së teknologjisë.

Spotify gjithashtu ka investuar më shumë se një miliard euro në podcast në vitet e fundit, por analistët thonë se kompania ende nuk ka provuar se investimi po jep fryte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore