‘Spiunia’ Timofeeva kërkon azil politik në Shqipëri

SHFLETO
Vitjon Nina
13.03.2023 20:56
Loading Icons...

Ajo e kundërshton me çdo kush ekstradimin e saj drejt Rusisë dhe tashmë ka marrë edhe një hap konkret, duke kërkuar azil politik në Shqipëri.

Bëhet fjalë për Svetlana Timofeevën, rusen 33-vjeçare, e cila akuzohet nga autoritetet shqiptare për spiunazh, së bashku me dy shtetas të tjerë, Mikhail Zorin, 23 vjeç nga Rusia dhe Fedir Aplatov nga Ukraina.

Të tre ata u arrestuan më 20 gusht 2022, pasi u përpoqën të hynin në ambientet e uzinës së armëve në Gramsh, ku u përleshën edhe me dy ushtarë, ndaj të cilëve u hodh spraj neuro-paralizues.

Timoffeva gjendet aktualisht në paraburgim, në burgun e grave në Elbasan, teksa çështja e saj gjykohet në Elbasan, pasi Gramshi (ku ngjarja ndodhi), përfshihet në këtë qark.

Me një vendim të datës 24 shkurt 2023, ndaj Timofeevës u caktua masa e qëndrimit në burg, pavarësisht kërkesës së saj për t’u liruar.

Gjykata u shpreh asokohe se Timofeeva duhet të qëndrojë në qeli për sulmin ndaj ushtarakëve dhe se ende ka dyshime se do të merrte informacione sekrete.

Kjo, edhe pse kanë kaluar afatet e paraburgimit.

Avokati i saj mbrojtës, Saimir Vishaj, u shpreh se afatet e paraburgimit kanë përfunduar dhe prej 20 shkurtit ajo duhej të hetohej në liri.

Më 12 janar ndërkohë, Rusia ka kërkuar ekstradimin e saj pasi ajo është e shpallur në kërkim atje nën akuzën për spiunazh.

Timofeeva kërkohet të ekstradohet pasi Moska e ka shpallur në kërkim për veprën penale të marrjes së paligjshme të informacionit që përbën sekret shtetëror, parashikuar nga Kodi Penal rus.

Çfarë ndodhi në Gramsh?

Një ngjarje e rëndë që ndodhi në Uzinën Ushtarake të Gramshit rroku vëmendjen e gjithë opinionit publik të shtunën e 20 gushtit, kur dy ushtarakë shqiptarë, në turnin e rojës, u konfliktuan me një shtetas rus, i cili kishte kaluar rrethimin, po fotografonte zonën dhe i sulmoi ushtarët me një agjend neuroparalizues.

Pavarësisht kësaj, rusi u neutralizua në vend, teksa dy persona të tjerë, një shtetase ruse dhe një shtetas ukrainas, u kapën duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Të tre personat, janë nën akuzë për spiunazh në Shqipëri tashmë dhe detaje të tjera nga ngjarja janë bërë publike.

Sipas dëshmive të para, ata kanë pretenduar se janë bloggerë dhe fotografojnë vende të braktisura.

Mirëpo kjo alibi, është hedhur poshtë nga hetimet, pasi bëhet me dije se ardhja e tyre në Shqipëri, u bë në kohë të ndryshme. Po ashtu, pas identifikimit të shtetasve rusë, u bë edhe identifikimi i shtetasit ukrainas.

Ky i fundit, quhet Fjodor Mihaljov dhe gjendej në Shqipëri prej tre javësh. Ai kishte qëndruar kryesisht në Tiranë gjatë kësaj kohe, në shtëpi me qera ditore.

Nga ana tjetër, shtetësja ruse, e identifikuar si Svetlana Timofoeva, kishte vetëm tre ditë që kishte mbërritur në Shqipëri.

Atyre u janë sekuestruar disa mjete nga makina me të cilën po udhëtonin, ku përfshihen edhe dronë, telefona celularë, aparate fotografike etj..

Shtetasit tjetër rus ndërkaq, i cili u përlesh me efektivët e ushtrisë dhe u identifikua si Mikhail Zotin, iu sekuestrua një aparat fotografik, i cili mendohet se është mjet i sofistikuar spiunazhi, pas kontrollit paraprak të çipave.

Për të tre këta persona, dyshimet janë shumë të forta se bëjnë pjesë në forcat ruse të GRU-së dhe janë spiunë profesionistë, me mision të parapërcaktuar në Shqipëri.

Nuk dihen ende detaje se pse pikërisht Uzina e Gramshit atyre u interesonte veçanërisht, duke qenë se ajo prej kohësh nuk kryen funksion.

Në ngjarje është përfshirë menjëherë drejtoria e Antiterrorit, për të zbardhur plotësisht çdo detaj.

Nëse vërtetohet se ata realisht janë pjesë e GRU-së, atëherë ngjarja mund të trajtohet në përmasa edhe më të mëdha, mbi të gjitha në kontekstin e fundit kur gjendemi në kushtet e një lufte që po zhvillohet në Ukrainë nga ana e Moskës.