Lajme

“Spitali i Prishtinës”, projekti që prezantohet vazhdimisht, por asnjëherë nuk ndërtohet


Projekti i Spitalit te Prishtines

Qysh nga viti 2019, ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Uran Ismaili, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilat, kishin nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.

Ky projekt edhe pse parashihej të përfundonte në vitin 2021, punimet ende as nuk kanë filluar.

Tani, më 23 qershor 2022, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë më në fund prezantuan planin e fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.

Por, prapë ideja rreth spitalit vazhdon të jetë shumë e paqartë.

“Spitali i Prishtinës vështirë të finalizohet në mandatin e Përparim Ramës”

Hulumtues në INPO, Diell Musa nga Iniciativa për progres (INPO), që merret me monitorimin e punës në Komunën e Prishtinës, shprehet pesimist për përfundimin e këtij spitali.

Ai gjatë një intervistë për Albanian Post, thotë se tash e sa vite nuk ka pasur hapa konkret në këtë drejtim, prandaj nuk pret që të ketë as në të ardhmen.

“Gjasat që ky projekt të përfundojë në afatin e planifikuar, pra në vitin 2024 janë shumë të vogla, për arsye se përveç planit të fizibilitetit, ende nuk kemi parë ndonjë hap tjetër konkret të ndërmarr nga Komuna e Prishtinës, ende nuk kanë filluar as me procedurat e prokurimit”, thotë Musa për AP.

Madje, sipas tij, ka gjasa që ky projekt të mos përfundohet fare në mandatin qeverisës të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

“Duke pasur parasysh praktikat e kaluara që për projekte të tilla milionëshe, këto proceduara mund të jenë jo të lehta, pra mund të ketë ankesa të shumta, mirëpo edhe vonesa të ndryshme, nuk besoj që ky projekt do të finalizohet në mandatin e zotëri Rama”.

Musa tregon se për spitalin ende nuk ka asnjë parcelë të ndarë.

“Shto faktin që vonesa dhe procedura të cilat mund të marrin kohë janë edhe procesi i caktimit të një lokacioni të përshtatshëm, ngase nuk kemi informacione që për këtë projekt është ndarë ndonjë parcelë, e që procesi për caktimin/ndarjen e një parcele mund të marrë kohë shtesë”.

Në qershor të vitit 2021, ish drejtori i Shëndetësisë, Bujar Gashi kishte thënë për Albanian Post se “me aq sa kemi njohuri, në fillim të pandemisë vitin e kaluar ka përfunduar plani i fizibilitetit për Spitalin e Prishtinës dhe procedurat e tjera kanë mbetur pa u zhvilluar si pasojë e pandemisë”.

Ky projekt është i përfshirë në buxhetin e Republikës së Kosovës prej vitit 2021 dhe deri në vitin 2024. Për projektimin dhe ndërtimin e Spitalit të Prishtinës thuhet se janë të ndara tashmë afër 7 milionë e 500 mijë euro.

Komuna e Prishtinës: Do të kërkohen fonde për spitalin e Prishtinës

Ndryshe nga pesimizmi i hulumtuesit të INPO-s, Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, shprehet se ndërtimi i këtij spitali do të bëhet nga kompanitë më të mira të kësaj fushe.

“Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës do të bëhet në hapësirën që e propozon kompania që është duke bërë fizibilitetin e Spitalit, ICME e cila është njëra nga kompanitë me te mira në fushën e  hartimit të planit të institucioneve spitalore”.

 

Komuna e Prishtinës.

Pavarësisht që kanë kaluar vite që nga kur ky spital planifikohej të ndërtohej dhe faktit se mund të jetë ndarë një shumë parash, duket se komuna akoma nuk ka një buxhet të planifikuar për këtë projekt.

“Kryetari Rama e ka një nga prioritet e veta dhe sigurisht që komuna do të ndaj buxhet të mjaftueshëm për ndërtimin e tij, por do te kërkohen fonde edhe nga donatorë te ndryshëm në fushën shëndetësisë!”.

Sadiku shton se, “propozimi i kompanisë është që spitali të ketë rreth 300 punëtorë shëndetësorë ne fazën fillestare”.

Ministria e Shëndetësisë: Ka variante të ndryshme për spitalin

Albanian Post, ka kontaktuar edhe ministrinë e Shëndetësisë rreth ndërtimit të këtij spitali të njëjtit pohojnë se akoma nuk ka ide të qartë në këtë drejtim.

“Meqë ky projekt është në faza të diskutimeve dhe elaborimeve të ndryshme, ka disa ide e variante për këtë spital, por të cilat duhet diskutuar dhe elaboruar edhe më tej nga Komuna, Ministria dhe palë të tjera që mund të kontribuojnë”.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama gjatë prezantimit të planit për Spitalin e Prishtinës.

MSH-ja, arsyetohet edhe për procedurat e ngadalshme në këtë drejtim.

“Çdo projekt i ri i ka sfidat e veta, qoftë për ngritjen e infrastrukturës dhe sigurimit të resurseve dhe shërbimeve përkatëse, por me bashkëpunim të mirë mund të realizohet”.

Prezantohet plani për Spitalin e Prishtinës

Ndryshe, gjatë prezantimit të planit të fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshme të Prishtinës, të enjten e 23 qershorit, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi deklaroi se bashkërisht me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama kanë filluar tashmë të diskutojnë për këtë projekt.

Ndërsa, teksa shpalosi disa nga prioritet e tij theksoi se shëndetësia kosovare ka nevojë për inevstime në infrastrukturë.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur se për qytetarët mungesa e një spitali të përgjithshëm ka qenë disfavor.

Rama theksoi se, “ky spital është i nevojshëm për qytetarët e Prishtinës”.

Gjithashtu, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në sektorin e shëndetësisë ka premtuar kompletimin e rrjetit të Qendrave të Mjekësisë Familjare në tërë territorin e Komunës së Prishtinës,  sipas standardit një Qendër e Mjekësisë Familjare për 10 mijë banorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore