Spiropali takim me Bucci-n: Italia ka qenë dhe vijon të jetë avokate e anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti këtë të mërkurë të 7 gushtit Ambasadorin e Italisë, Fabrizio Bucci.
Bucci e uroi Spiropalin për zgjedhjen në detyrën e lartë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë dhe e garantoi për vijimësinë e partneritetit strategjik dhe marrëdhënieve mes dy vendeve si edhe intensifikimin e bashkëpunimit mes Kuvendit, Dhomës së Deputetëve dhe Senatit.
Nga ana e saj, Spiropali, nënvizoi se “Partneriteti Strategjik dhe bashkëpunimi i suksesshëm mes Shqipërisë dhe Italisë mbështetet në marrëdhëniet miqësore tradicionale mes dy popujve tanë”.
“Italia ka qenë dhe vijon të jetë avokate e fuqishme e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe për këtë meriton mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve. Aktualisht të dy vendet janë në një moment të rëndësishëm, intensiv dhe të veçantë bashkëpunimi. Pas ratifikimit nga Kuvendi, po fillon zbatimi i marrëveshjes së sigurimeve shoqërore, prej nga përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë në Itali dhe mbi 4 mijë italianë në Shqipëri”.
Ndër të tjera thekson se “fillimi i zbatimit të Protokollit të Bashkëpunimit mes dy qeverive për emigrantët e paligjshëm, është jo vetëm një gjest humanizmi, por një ndikim i Shqipërisë në sistemin global të emigracionit, në të cilin gjatë tre dekadave kemi pasur një pozitë vulnerable dhe tashmë po shndërrohemi në një shtet kontribuues”.
Spiropali dhe Ambasadori Bucci biseduan edhe për intensifikimin e bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë dhe nxitjen e mbështetjen parlamentare të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor etj.
U diskutua gjithashtu për vijimin e mbështetjes së Italisë për Kosovën, për pranimin e saj në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si edhe kontributin e përbashkët të Shqipërisë dhe Italisë për mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë në rajon, Evropë e më gjerë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Mandati i Xhaçkës ‘mollë sherri’ në Konferencën e Kryetarëve
-
Konkurs ndërkombëtar për ndërtimin e godinave të reja për administratën, Rama: Na duhet një kompleks qeveritar
-
Ursula von der Leyen prezanton ekipin e saj të ri në Komisionin Evropian
-
Kurti për Asociacionin: Janë 39 marrëveshje, s’mund të zgjidhni si të ishte byfe suedeze – e pranova vetëm si pako