Gjykata Speciale

S’përjashtohen dënime të përjetshme për krerët e UÇK-së – Trëndafilova 3 orë llafe në Prishtinë


Protesta e aktivistëve të Partisë Socialdemokrate, bombat tymuese, spreji ndaj gazetarëve nga zyrtarët policorë, arrestimi i kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistët e tjerë, nuk ishte pengesë për Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova që për gati tri orë të diskutojë me gazetarë e me përfaqësues së shoqërisë civile në Prishtinë të mërkurën.

Teksa u pyet për shumë çështje nga gazetarët, gjyqtarja bullgare tregoi se Specialja mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm për ndonjërin nga ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë si të akuzuar për krime lufte.

“Gjykata mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm. Gjykatësit mbështeten në Kodin Penale të Kosovës dhe mund ta marrin në konsideratë”, tha Trendafilova.

Ndërsa pak ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ua pezullojë vizitat dhe komunikimet me jashtë tre ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, Trendafilova nga Prishtina “është arsyetuar” duke thënë se po e pret vendimin përfundimtar të Gjykatës për këtë çështje.

“Sa i përket kushteve, mendoj që unë kam shpjeguar që pritet të ketë një vendim final, në këtë mocion urgjent nga prokurori, për limitimin e komunikimeve për tre të akuzuarit. Unë nuk kam marrë pikëpamjet e prokurorit dhe as të mbrojtjes. Duhet të shohim se çfarë vendosë trupi gjykues”, shtoi ajo.

Ekaterina Trendafilova

Kur është pyetur për kritikat e juristëve ndaj Speciales për shkeljen e të drejtave të njeriut për të akuzuarit që po mbahen në paraburgim, kryetarja e Speciales ka potencuar se deri më tash gjykatësit nuk kanë qenë subjekt i ndonjë ndikimi apo presioni politik.

“Deri tash nuk ka ndodhur që dikush të guxojë të bëjë presion mbi ndokënd, as mbi mua dhe as mbi kolegët e mi. Kjo i atribuohet institucioneve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së, që e kanë themeluar këtë institucion. Kurrë s’ka pasur presion dhe s’do të ketë”, theksoi ajo.

Trendafilova, duke iu përgjigjur pyetjes së Albanian Post rreth mundësisë së vazhdimit të fushatës së bastisjeve ndaj ish-zyrtarëve të shtetit kosovar dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ka kundërshtuar termin “bastisje”, duke sugjeruar të përdoret termi “kontrolle/kërkime”.

“Terminologjia e duhur ligjore është kontrolle/ kërkime, jo bastisje. Nuk ka bastisje. Nuk e di pse gjithandej lexoj për bastisje. Nuk e di nëse do të ketë kontrolle/kërkime [në të ardhmen]. Ndoshta mund të ketë kërkime dhe konfiskime. Kjo ka qenë e pa pritshme edhe për mua”, ka thënë ajo, duke iu referuar bastisjeve të muajve të fundit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Kosovë.

Ndërsa kur foli për mos lirimin me kusht të ish-nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinajt, ajo potencoi se ky i fundit “kishte pasur sjellje jo-disiplinore”.

“Haradinaj pati tri sjellje jo-disiplinore”, shtoi ajo, derisa muajin e kaluar, Specialja liroi me kusht ish-kryetarin e OVL të UÇK-së, Hysni Gucatin, i dënuar me katër vjet e gjysmë burgim për pengimin e administrimit të drejtësisë, shkeljes së fshehtësisë së procedurës e pengim të personave zyrtar.

Që nga viti 2016, Trendafilova po e udhëheq Gjykatën Speciale, ku po gjykohen si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-krerët e UÇK-së.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Reagim brutal i policisë në protestën e PSD-së: Arreston protestuesit, goditen dhe u hidhet sprej syve gazetarëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore