Lajme

Specialja konfirmon për Albanian Post: Disa nga të paraburgosurit janë infektuar me COVID


Gjykata Speciale

Disa nga të paraburgosurit në Dhomat e Specializuara në Hagë janë infektuar me COVID-19.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, Angela Griep, shefe e Njësisë për Informim dhe Komunikim të Speciales, por s’ka ka treguar se cilët nga të paraburgosurit janë infektuar.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të komentojmë mbi statusin COVID të individëve në ambientet e paraburgimit. Megjithatë, mund të konfirmojmë se ka disa rezultate pozitive të testeve”, tha Griep.

“Shërbimet mjekësore janë plotësisht të angazhuara dhe çdo person që ka rezultuar pozitiv merr shërbime të plota mjekësore duke përfshirë një oficer mjekësor, që i viziton të paktën dy herë në ditë”.

Të mërkurën është raportuar se Rexhep Selimi e Nasim Haradinaj janë prekur me COVID-19.

Ndryshe në Qendrën e Paraburgimit të Speciales në Hagë po qëndrojnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selilmi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe Pjetër Shala.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen si përgjegjës për krimet e kryera nga ata vetë dhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në pjesë të ndryshme të Kosovës, por edhe në Shqipërinë e veriut, “kundër qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selilmi, Jakup Krasniqi

Por, deri më tani vetëm ndaj Sali Mustafës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ka filluar gjykimi.

Gucati, së bashku me Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore