Gjykata Speciale

Specialja ende s’po ua lejon telefonatat ish-krerëve të UÇK-së me familjarët


Ndonëse dy ditë më parë Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), ua kishin lejuar vizitat dhe telefonatat ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi që po mbahen në paraburgim në Hagë të Holandës si të akuzuar për krime lufte, ky vendim ende nuk po zbatohet.

Kështu kanë thënë avokatët e Thaçit, Veselit dhe Selimit në seancën e kësaj të hëne në Gjykatën Speciale.

“A mund të na thotë diçka Zyra Administrative kur do të zbatohet ky vendim dhe çfarë problematikash ka pasur për ta zbatuar këtë vendim?”, ka pyetur avokati i Selimit, Geoffrey Roberts,

Edhe avokatët e Thaçit dhe Veselit, janë ankuar se nuk po zbatohet vendimi në fjalë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Janë bërë disa kërkesa për telefonata me anëtarët e familjes dhe janë refuzuar momentalisht. Pra, deri tani nuk janë lejuar telefonatat me familjen qofshin edhe të monitoruara”, tha avokati i Veselit, Ben Emmerson.

Edhe avokati i Thaçit, Gregory Keohe, u ankua se klientit të tij nuk po iu lejohen telefonatat ne qendrën e paraburgimit në Hagë.

“Kam dhe unë nevojë të mbështesë atë që tha zotëri Emmerson sa i takon klientit tim, nuk janë lejuar telefonatat”, theksoi Keohe.

Për këtë çështje, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, potencoi se mund të ketë pasur ndonjë keqkuptim dhe do të bëjë të pamundur të zbatohet ky urdhër.

“Unë kërkoj ndjesë për këtë dhe unë do ta trajtoj këtë aspekt gjatë ditës së sotme. Po bëjnë organizimet e nevojshme dhe po bëjnë që të kuptojnë të gjitha pjesët organizative për këtë situatë të re. Janë duke punuar dhe do të zbatohet shumë shpejt”, potencoi ai.

Gjykata Speciale nuk ua ndalon vizitat dhe telefonatat ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte pretenduar se ata kishin shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke e shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë. Nga ZPS-ja ishte pretenduar se ata deri më tash i kanë shfrytëzuar vizitat për të çuar mesazhe te dëshmitarët dhe familjarët e tyre.

“Paneli Gjykues nuk ka përcaktuar se ndonjë nga këto përpjekje për të ndërhyrë me dëshmitarët e prokurorisë mund t’i atribuohet ndonjërit prej të akuzuarve. Megjithatë, paneli thekson se informacioni në lidhje me identitetin e dëshmitarëve dhe rendin në të cilin ata thirren është i qasshëm, vetëm për një numër të kufizuar njerëzish të përfshirë në këto procedura”.

DHSK-ja megjithatë ka përgatitur një listë të masave kufizuese të cilat duhet të ndërmerren në mënyrë që të ofrohet një kontroll strikt ndaj komunikimeve në qendrën e paraburgimit, përkatësisht parandalimin e zbulimit të informacioneve konfidenciale, duke përfshirë identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe garantimin e integritetit të procedurave gjyqësore.

“Paneli Gjykues thekson se shumë nga garancitë e parapara në udhëzimet praktike të regjistrimit për paraburgimin janë privilegje që shkojnë përtej asaj që do të kishin të paraburgosurit si çështje të të drejtave themelore. Si i tillë, kufizimi i tyre nuk është në vetvete i papajtueshëm me mbrojtjen efektive të të drejtave themelore të të paraburgosurve”.

Ata kanë konstatuar se kushtet aktuale të paraburgimit janë të pamjaftueshme për të zvogëluar rrezikun që të tre të akuzuarit të mund të ndërhyjnë në procedurë apo të paraqesin rrezik për sigurinë e dëshmitarëve, ndërsa është kërkuar të vendoset një sistem që fokusohet në identifikimin dhe përjashtimin e individëve që mund të paraqesin kërcënim.

“I akuzuari nuk duhet të takohet me më shumë se një vizitor në çdo kohë – me përjashtim të vizitave nga bashkëshortët dhe fëmijët që mund të bëjnë vizita bashkërisht. Të gjithë të paraburgosurit dhe vizitorët duhet të komunikojnë me zë dhe nuk lejohet komunikimi i fshehtë përmes pëshpëritjes apo përdorimi i ndonjë gjuhe të koduar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore