Gjykata Speciale

Specialja e refuzon kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për largimin e gjykatësit Guillou


Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për të hequr ose zëvendësuar gjykatësin Nikola Guillou si gjykatës të vetëm në rastin e tij gjyqësor dhe të ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të akuzuar për krime lufte.

“Kryetarja konstatoi se nuk mund të ushtrojë kompetencën për zëvendësimin e një gjykatësi, përveç nëse gjykatësi nuk është më në gjendje të kryejë detyrat e veta dhe ky nuk është rasti me gjykatësin Guillou, sepse ai do të ushtrojë funksionet gjyqësore në GJPN duke filluar nga 19 gushti 2024”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle, në një konferencë për media.

Sipas tij, kryegjyqtarja Trendafilova ka konstatuar më tej se Thaçi nuk ka paraqitur argumente pse është cenuar puna apo pavarësia e gjykatësit Guillou si gjykatës i Vetëm.

“Ajo doli në përfundimin se disponueshmëria e gjykatësit Guillou për të ushtruar funksionin si Gjykatës i Vetëm është aspekt që vlerësohet nga Kryetarja dhe është i natyrës administrative dhe jo objekt apelimi prej palëve. Seanca e radhës në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët është planifikuar të mbahet më 22 prill, në orën 9 të mëngjesi”, shtoi.

Kërkesa e mbrojtjes së Thaçit u bë mbi bazën se gjykatësi bëri betimin si gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare më 8 mars 2024 dhe do të ushtrojë funksionet e tij gjyqësore në GJPN duke filluar nga 19 gushti.

Gjykimi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të vazhdojë më 22 prill.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore