Kosova

Specialja e refuzon kërkesën e mbrojtës së Thaçit, kërkuan mundësi hetimore unike për tetë diplomatë


Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka marrë vendim me anë të së cilit, ka refuzuar mocionin e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, me anë të së cilit kishte kërkuar mundësi hetimore për dëshmitarët ndërkombëtar, pasi kishte vlerësuar se dëshmitë e tyre janë të rëndësishme për çështjen.

Steve Bennet, Wesley Clark, Jock Dovey, Michael Durkee, Daan W. Everts, Bernard Kouchner, Wiilliam Walker dhe një diplomat tjetër që i është redaktuar emri, janë dëshmitarët për të cilët mbrojtja e ish-presidentit Thaçi kërkoi mundësi hetimore unike, raproton Betimi për Drejtësi.

Vendimi thotë se gjykatësi paraprak vëren se një vlerësim nëse provat mund të “mos jenë të disponueshme më pas në gjyq” është një që kryhet rast pas rasti dhe përfshin shqyrtimin e faktorëve të tillë si, ndër të tjera, kalimin e kohës, shëndetin ose gjendjen fizike e një dëshmitari, aksesi i përkohshëm në sendin evidentues,  ose presioni i ushtruar mbi një dëshmitar.

“Në lidhje me argumentet e mbrojtjes Thaçi lidhur me Dëshmitarët (“mosha e avancuar” dhe “shkallë të ndryshme të shëndetit”), gjykatësi paraprak vëren se Dëshmitarët janë midis 77 dhe 87 vjeç. Megjithatë, asgjë në mocion apo shtesë nuk tregon se gjendja shëndetësore e Dëshmitarëve tani është një shqetësim serioz që do të garantonte ruajtjen e menjëhershme të provave të tyre”, thuhet në vendim.

“Përkundrazi, gjykatësi paraprak vëren se  Mbrojtja Thaçi pranon se shëndeti i dobët ose i keq i Dëshmitarëve «nuk është aktualisht një faktor. në lojë në këtë rast”. Siç  ka pranuar  Mbrojtja Thaçi, vetëm mosha është një arsye e pamjaftueshme për të besuar se provat e një dëshmitari mund të bëhen të paarritshme”.

Lidhur me kohëzgjatjen e parashikuar të kohës përpara se të fillojë çështja e mbrojtjes, gjykatësi paraprak thuhet se kujton se ai do t’a transmetojë çështjen në një panel gjyqësor deri në fund të vitit 2022.

Në këtë mënyrë, gjykatësi paraprak gjen se mbrojtja e Thaçit nuk ka mbështetur kërkesën e saj për një mundësi unike hetimi dhe refuzon kërkesën për masën e parë.

Skandali i radhës në Speciale – Mbrojtja e Veselit zbulon dëshmitarin e rrejshëm

Më 24 nëntor, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson në një parashtrim të dorëzuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka deklaruar se një person ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Specializuar në Gjykatën Speciale dhe ka dhënë dëshmi të rrjeshëm kundër Hashim Thaçit dhe klientit të tij në këtë rast Veselit.

Dëshmitari në fjalë – identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur – sipas avokatit Emmerson ka dhënë dëshmi se Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë qenë përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve nga Prokuroria për të cilat më pas janë gjykuar e dënuar me nga katër vjet e gjysmë Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore