Kosova

Specialja e arrestoi Shalën për pengim të drejtësisë


Haxhi Shala

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar arrestimin dhe dërgimin në Hagë të ish-deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala.

Në njoftimin e lëshuar nga Gjykata Special bëhet e ditur se arrestimi i Shalës ka të bëjë me “krime kundër administrimit të drejtësisë”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) arrestoi në Kosovë Haxhi Shalën në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim të lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ai është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë”.

Sipas Speciales, Shala do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesa të mëtutjeshme.

“Fletarrestimi lidhet me krime kundër administrimit të drejtësisë”.

Sipas aktakuzës, Shala së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijar kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia.

Aktorët akuzohen konkretisht për kërkesën ndaj dëshmitarit për të tërhequr dëshminë e tij në këmbim të një shume prej 200 mijë eurosh. Aktakuza përfshin edhe kontakte të shumta telefonike dhe takime personale që kanë ndodhur në periudhën midis 5 dhe 9 prillit 2023.

Sipas aktakuzës, veprimet e Shalës dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë pasuar qëllime kërcënuese dhe shantazhuese ndaj dëshmitarit, duke synuar të pengojnë drejtësinë dhe të ndikojnë në dëshminë e tij.

Në komunikatë për media, ndër të tjera, theksohet se ZPS e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale.

Të hënën, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-politikani, Haxhi Shala, i njohur me nofkën “Topi”, është intervistuar nga Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale në Hagë.

Veç intervistimit të Shalës, janë kryer edhe bastisje në qytetin e Malishevës.

Nga zyra për media e Speciales kanë konfirmuar për Albanian Post operacionet, por pa shumë informacion.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme”, tha në një përgjigje për AP-në, Chris Bennett, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ndërsa për Shalën nuk është dhënë asnjë informacion.

Për shkak të mungesës së informacioneve nuk është e qartë nëse intervistimi i serishëm i tij ka të bëjë me ndonjë akuzë që rëndon mbi të si ish-komandant i UÇK-së, apo ka të bëjë me ndonjë akuzë për “ndërhyrje në drejtësi”, për çka janë bastisur këto kohët e fundit disa persona në Kosovë.

Shala një herë kishte dhënë intervistë para prokurorisë në Hagë, në vitin 2020.

Ai e kishte bërë vetë të ditur se është ftuar për intervistim nga Specialja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore