Kosova

Specialja bastis shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit, Artan Behrami


Artan Behrami – ish këshilltar i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjykata Speciale të martën ka vazhduar me bastisje në shtëpinë e ish-këshilltarit të ish presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami e po ashtu edhe në shtëpinë e prindërve të Behramit.

Bastisja në shtëpinë e Behramit, ka ndodhur një ditë pasi që ai kishte kritikuar Gjykatën Speciale se është duke dënuar vetëm shqiptarët, duke e quajtur atë “fashiste”.

“Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët. Prokuroria është në panik! Po humb çdo betejë juridike! Ndërsa, gjykata në përpjekje për të ndihmuar prokurorinë, seancat tragjike-komike po mundohet t’i mbulojë me spektakle”.

“Bastisja e shtëpive të kolegëve, Blerimit dhe Bashkimit, është skandaloze dhe e paprecedent!”, ka shkruar Behrami të martën.

Sipas tij, qasja e prokurorisë është një dëshmi e qartë se ka një tendencë për të njollosur të gjithë shqiptarët që kanë dhënë kontribut për liri dhe shtetndërtim.

“Unë dhe kolegët e mi që kemi pasur nderin të bashkëpunojmë me presidentin Thaçi, nuk frikësohemi nga trokitjet e kësaj prokurorie në dyert e shtëpive tona”.

“Ata nuk kanë policë për të bastisur të gjithë shqiptarët, ata nuk kanë prokurorë për të akuzuar të gjithë shqiptarët, ata nuk kanë burgje për të mbajtur të gjithë shqiptarët, që mbrojnë luftën çlirimtare të Kosovës!”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), nëpërmjet një përgjigje me shkrim, ka konfirmuar të hënën për Albanian Post se është duke zhvilluar “operacione të vazhdueshme” në Kosovë.

Pamje nga bastisjet që po bëhen në banesën e ish këshilltarit të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Artan Behrami.

Derisa ka njoftuar se po asistohet nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) përgjatë këtyre operacioneve.

Një bastisje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndodhur të hënën në mëngjes në banesën e Blerim Shalës, ish-këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime të pretenduara lufte në Hagë të Holandës.

Aksioni i njëjtë është kryer edhe në shtëpinë e ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI), Bashkim Smaka, i cili për një kohë ka shërbyer gjithashtu në ekipin këshilldhënës të ish-presidentit Thaçi.

Edhe në shkurt të këtij viti ekipet policore të EULEX-it me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kishin kryer bastisje në banesën e Adil Behramaj, këshilltar politik i ish-presidentit Thaçi, aksion që kishte nisur rreth orës 08:30 mëngjesin e 22 shkurtit e kishte përfunduar në mbrëmje.

EULEX-i ka kryer bastije edhe në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, në shtator të këtij viti, nën arsyetimin se të njëjtët kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë, derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është duke vazhduar në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore