Gjykata Speciale

Specialja arreston Fahri Fazliun, Klinaku: Vazhdojnë spektaklet e gjykatës ilegale


Gjykata Speciale.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka konfirmuar raportimet se Gjykata Speciale ka arrestuar Fahri Fazliun.

Klinaku, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se Gjykata Speciale po vazhdon me “spektaklet” e saj.

“Gjykata ilegale Speciale, në mungesë të fakteve për krime lufte, vazhdon spektaklet e saj duke arrestuar edhe njerëz që në kohën e luftës së UÇK-së ishin fëmijë”.

“Ajo sot ka arrestuar Fahri Fazliun, nipin e heronjve Bahri e Fahri Fazliu, i cili gjatë luftës ishte vetëm 8 vjeçar”.

Sipas tij, për veprimet që po bon ZPS-ja do të ndëshkohet në të ardhmen.

“Krimin që po e bën ZPS, herdo t’i kthehet bumerang vet asaj, dhe le ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se nuk mund të na nënshtrojnë as ata, ashtu siç nuk na ka nënshtruar as pushtuesi”.

“Për sa kohë që do të zgjas kjo e keqe e madhe për Kosovën, do të kemi këso lloj spektaklesh”, ka shkruar ai.

Specialja gjatë muajve të kaluar kishte kryer bastisje në disa prej shtëpive.

EULEX-i kishte kryer bastije në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, në shtator të vitit 2023, nën arsyetimin se të njëjtët kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë, derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është duke vazhduar në Hagë.

Bastisje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kishin ndodhur në banesën e Blerim Shalës, ish-këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e po ashtu edhe në shtëpinë e Artan Behramit.

Aksioni i njëjtë ishte kryer edhe në shtëpinë e ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI), Bashkim Smaka, i cili për një kohë ka shërbyer gjithashtu në ekipin këshilldhënës të ish-presidentit Thaçi.

Edhe në shkurt të këtij viti ekipet olicore të EULEX-it me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kishin kryer bastisje në banesën e Adil Behramaj, këshilltar politik i ish-presidentit Thaçi, aksion që kishte nisur rreth orës 08:30 mëngjesin e 22 shkurtit e kishte përfunduar në mbrëmje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore