Gjykata Speciale

Specialen s’e ngucim, përveç se e financojmë


Foto: Albanian Post

Ministrja e Drejtësisë ende nuk e ka themeluar mekanizmin që do ta monitoronte punën e Gjykatës Speciale, ndonëse për këtë ishte zotuar vitin e kaluar ministrja Albulena Haxhiu, pasi kishte qëndruar për vizitë në Hagë dhe kishte vlerësuar se është evidentuar mungesa e një monitorimi nëse respektohen të drejtat e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim si të akuzuar për krime lufte.

“Ne veç e paguajmë Gjykatën Speciale, s’kemi kompetenca të tjera”, tha një ditë më parë gjatë një konference për media ministrja Haxhiu, pasi u pyet nga gazetarët për dënimin e shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuar të Kosovës prej 22 viteve burgim ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i dënuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

“Ministria e Drejtësisë për çfarëdo veprimi ka mundësitë minimale. Përveç që mund të ketë deklarime publike në kuptimin procedural/formal s’ka asnjë përgjegjësi dhe jo rastësisht edhe në kohën kur është votuar Gjykata Speciale të gjitha këto aspekte që sot diskutohen pas disa vjetëve, ne i kemi përmendur edhe në atë kohë, pra rreziqet që mund të vijnë”, theksoi Haxhiu të hënën.

Ajo ka treguar se nuk është takuar me kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kur kjo e fundit ishte në Prishtinë gjatë muajit të kaluar, derisa theksoi se Gjykata Speciale mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm.

Por, juristët kanë shpjeguar për Albanian Post se përkundër që me Kodin Penal të Kosovës për veprat për krime lufte parashihet dënimi me burgim të përjetshëm, ai nuk mund të zbatohet, meqë nuk ka qenë në fuqi gjatë viteve 1998-99, për periudhën që Specialja pretendon se janë kryer krimet nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haxhiu: Ne veç e paguajmë Gjykatën Speciale, s’kemi kompetenca të tjera

Gjatë muajit nëntor, përmes një kërkese Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ua kishte ndaluar ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimi vizitat dhe të gjitha komunikimet e tjera, përveç me ekipin. Kjo kërkesë nga ZPS-ja është bërë nën pretendimet se ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.

Ndërsa kryetar i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë të tij, pasi kishte udhëtuar për një vizitë të të burgosurve në Hagë vitin e kaluar, kishte deklaruar se ka kohë që po e mendon se si mund të interferohet – pa e cenuar procesin gjyqësor – që Gjykata Speciale të jetë më transparente në punën e saj.

Anomalitë e Speciales janë theksuar edhe nga ekspertë të drejtësisë, vendorë dhe ndërkombëtarë. AP, bashkë me emisionin Opinion në Shqipëri, pati realizuar një dokumentar që shpërfaqë parregullsitë e këtij procesi.

Përkundër kritikave për punën e Gjykatës Speciale, kryetarja Ekaterina Trendafilova, në një intervistë për AP vitin e kaluar, deklaroi se e vërteta e numrave flet ndryshe, duke shtuar se “sondazhi ynë rreth opinionit publik vitin e kaluar tregoi se, pavarësisht atyre që vokalisht kundërshtojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës, shumica e njerëzve besojnë se gjykata do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen”.

Ndryshe, më 14 dhjetor, nga 26 në 22 vjet burgim i është zvogëluar dënimi nga Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuar të Kosovës, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i dënuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Më 3 prill të këtij viti në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit si të akuzuar për krime lufte.

Këto krime të pretenduara janë përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është ish-senatori zviceran, Dick Marty.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së, kanë deklaruar se ndihen krejtësisht të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së konfirmuar ndaj tyre.

Reagim brutal i policisë në protestën e PSD-së: Arreston protestuesit, goditen dhe u hidhet sprej syve gazetarëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore