Spanjë, pasagjeres iu refuzua fluturimi për shkak të veshjes: Vueling gjobitet me 28 mijë euro

SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
21.06.2024 22:15
Loading Icons...

Linja ajrore spanjolle, Vueling, është gjobitur me 28 mijë euro për shkak se nuk lejoi të hipte në një nga fluturimet e tyre, një grua që sipas tyre nuk ishte e veshur siç duhet.

Gruaja synonte të fluturonte nga Mallorca për në Barcelonë, por iu refuzua të hipte për shkak se u shfaq me një pamje të konsideruar të papërshtatshme, d.m.th. me një trupore me prerje të ulët.

Rasti u bë publik nga shoqata spanjolle e konsumatorëve Facua, e cila kishte raportuar sjelljen e Vueling ndaj një klienti në Agjencinë Shtetërore të Sigurisë së Aviacionit (Aesa).

Ky është një episod i ndodhur në vitin 2019, por zhvillimet e të cilit, me sanksionin e vendosur nga Aesa ndaj kompanisë ajrore, vetëm tani janë bërë të ditura.

Sipas Facua, “shovinizmi” i Vuelingut dhe qëndrimi “diskriminues” i stafit të tij të shfaqur në këtë rast dënohen kështu.

“Asnjë rregull nuk ndalon shprehimisht hyrjen e pasagjerëve në bazë të veshjes së tyre, për sa kohë që nuk është në kundërshtim me rendin publik”, kujton shoqata e konsumatorëve.

Cituar nga Efe, një zëdhënës i linjës ajrore në vend të kësaj pohoi se në rastin e përshkruar pasagjeri ishte përgjigjur “në mënyrë agresive” dhe se “kushtet e udhëtimit, të cilat zbatohen në mënyrë të barabartë për burrat dhe gratë, krijojnë mundësinë e refuzimit të hipjes për arsye sjelljeje”.