Lajme

Spanjë/ Flakët nuk kursejnë as kompaninë e ripyllëzimit


Një kompani ndërkombëtare ripyllëzimi ka njoftuar se është “shkatërruar” pasi një nga kontraktorët e saj shkaktoi aksidentalisht një zjarr masiv në Spanjë, ku dhjetëra zjarre katastrofike kanë shpërthyer këtë javë.

Land Life, një kompani me bazë në Holandë me zyra në Spanjë dhe SHBA, bëri me dije se zjarri shpërtheu të hënën në një nga projektet e saj të ripyllëzimit në Ateca në rajonin verilindor të Aragón.

Kompania tha se zjarri, që vlerësohet të ketë dëmtuar 14 mijë hektarë tokë, u shkaktua pasi një shkëndijë doli nga një ekskavator i përdorur nga një prej kontraktorëve të tij për të përgatitur tokën për mbjelljen e pemëve në dimër.

Zjarri, i cili më në fund u vu nën kontroll të enjten vonë, çoi në evakuimin e 1 mijë e 700 njerëzve nga zona përreth. Kompania tha se kishte lajmëruar shërbimet e urgjencës sapo flakët filluan dhe “i vjen keq thellësisht” për dëmin dhe shqetësimin e shkaktuar.

“Ne jemi të shkatërruar nga vlerësimi i fundit që dëmi do të jetë rreth 14 mijë hektarë”, tha Land Life.

“Na vjen thellësisht keq për ndjenjat e komunitetit lokal që duhej të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të shihnin peizazhin e tyre të dëmtuar rëndë.”

Land Life tha se kishte ofruar ndihmën e saj për autoritetet dhe kishte filluar një hetim për atë që ndodhi.

“Duam të theksojmë se kontraktori, një kompani vendase me përvojë të gjerë në këtë zonë, kishte autorizimin e duhur të lëshuar nga autoritetet lokale dhe rajonale”.

Sipas mediave spanjolle, Land Life u akuzua se shkaktoi një tjetër zjarr në rajon muajin e kaluar që dogji 20 hektarë tokë.

“Nuk është e drejtë që ata të vazhdojnë të punojnë kur kjo ka ndodhur tashmë një herë”, tha kryetari i bashkisë së Bubierca, një nga fshatrat e evakuuar, për El Heraldo de Aragón.

Land Life thotë se është e përkushtuar të ndihmojë në rivendosjen e tokës së degraduar në mbarë botën.

Dy persona kanë vdekur nga zjarret në pyje që kanë shpërthyer në shumë pjesë të Spanjës, ndërsa mijëra janë evakuuar.

Spanja vlerësohet të ketë humbur pothuajse 200 mijë hektarë tokë nga zjarret deri më tani këtë vit – 80 mijë hektarë gjatë valës së të nxehtit të javës së kaluar dhe asaj që i parapriu në qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore