Sport

Spanja, vendi i parë që ‘bashkon’ futbollin kombëtar të femrave dhe meshkujve


Federata Spanjolle e Futbollit njoftoi një ndryshim të madh në emrat e ekipeve kombëtare. “Seleccion Espanola de Futbol” (Ekipi Kombëtar i Futbollit të Spanjës) do të përdoret për përzgjedhjen e meshkujve dhe femrave. Kështu u braktis emri i vjetër i ekipit të femrave, i cili përfshinte shprehjen “futbolli për femra”.

Një ndryshim i cili, sipas presidentit të Komisionit të Menaxhimit të RFEF (Federatës së Futbollit të Spanjës), Pedro Rocha, ka një kuptim shumë të rëndësishëm: “Përtej një hapi simbolik, ne duam që ai të nënkuptojë një ndryshim koncepti dhe njohjen që futbolli është futboll, luhet nga kushdo që del në fushë”.

Logoja dhe marka e “Seleccion Espanola de Futbol”, do të jetë kështu një emërues i përbashkët për ekipet kombëtare të meshkujve dhe femrave.

Në rastin e futsalit, emri tekstual do të jetë i njëjtë për të dy ekipet kombëtare, “Seleccion Espanola de Fubol sala”, por në këtë rast logoja do të ndryshojë, pasi skuadra e meshkujve krenohet me dy yje që kanë qenë kampionë bote në vitin 2000 dhe në vitin 2004. Megjithatë, në futbollin e plazhit, marka dhe logo do të jenë të zakonshme.

“Ne nuk kemi nevojë, në asnjë mënyrë, të diferencojmë markat e të dyja skuadrave. Në varësi të kontekstit, në varësi të imazheve që shoqërojnë logon, do të jetë krejtësisht e qartë nëse i referohemi kampionëve tanë apo kampioneve tona”, shtoi Pedro Rocha.

Fotografitë do të jenë të mjaftueshme për t’i dhënë informacion kujtdo që sheh një poster ose publikim në ndonjë nga mediat zyrtare të Federatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore